Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë konfirmoi se të dielën në mbrëmje në afërsi të patrullës së saj në Zubin Potok ka pasur të shtëna me armë zjarri. Forcat e NATO-s në Kosovë theksuan se nga ky rast nuk ka ndonjë të lënduar e as dëme materiale.

Por, sulmin ndaj KFOR-it e ka mohuar kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç raporton Klan Kosova. Ai tha se “synimi i mediave shqiptare është për ta nxehur edhe më tutje situatën”.

“Sipas informacioneve të KFOR-it dhe Shtabit të Krizave, do të mohoja pretendimet e mediave shqiptare se në Zubin Potok ka ndodhur një sulm ndaj KFOR-it. Ky informacion është vetëm një tjetër në serinë që Prishtina, si pjesë e luftës hibride, po e përdor për të nxehur më tej situatën dhe për ta tërhequr KFOR-in në synimet e tyre”, tha Rakiç.

“Nuk ka ndodhur asnjë sulm ndaj KFOR-it. Serbët e respektojnë KFOR-in”, deklaroi kreu i LS.