Ndërsa zgjedhjet në organizatat socialiste po shkojnë drejt fazës finale dhe tashmë janë dy emra në garë për kreun e PS-së së Durrësit, një status në rrjete sociale i kreut të njësisë administrative nr.6, Serjan Mazrreku duket se i turbullon disi ujërat brenda degës lokale.
“Në Seline e PS Durrës takim me organizatat e Durrësit të Ri (ish keneta) për ristrukturimin e OS dhe zgjedhjet për kryetar të PS Durrës. Para kryetarit aktual të PS i komunikuam një zëri që kjo zonë ka nevoje për frymë të re drejtim të ri dhe më shumë vemendje, ndaj mbështetja jonë shkon 100% për kandidatin për kryetar të PS Durrës Ardit Kërtusha”,– shkruan Mazrreku.
Në një komunikim telefonik me DurrësLajm, Mazrreku shprehet se në takimin e mbajtur në selinë e PS-së kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit e dy organizatave socialiste dhe të dyja organizatat kanë propozuar kandidatin Kërtusha.
Mazrreku nënvizon gjithashtu se ai i ka komunikuar kryetarit aktual Luan Zaza faktin se zona e ish-Kënetës dhe të ardhurit në këtë njësi administrative kanë qenë gjithnjë larg vëmendjes së kryetarit dhe nuk kanë gëzuar asnjëherë mbështetjen e tij, por janë lënë në harresë. Për këtë arsye, sipas Mazrrekut, votat e shumicës së organizatave të kësaj njësie administrative janë për Kërtushën.
Mazrreku pretendon se në gjysmat e organizatave socialiste ku u bënë zgjedhjet në fillim nuk është marrë mendimi i pjesëmarrësve për propozimin që ata kishin për kandidatët për kryetar, sepse nëse kjo pyetje do të ishte shtruar që në fillim numri i organizatave që do të kishin propozuar Kërtushën do të ishte më i lartë. Sipas tij, shumica e 17 organizatave socialiste të zonës së ish-Kënetës mbështesin kandidatin Ardit Kërtusha.
DurrësLajm komunikoi gjithashtu edhe me sekretarin organizativ të PS-së Arben Isaku lidhur me pretendimet e Mazrrekut. Sipas Isakut, mbledhja për të cilën bën fjalë Mazrreku është mbledhja e vetëm një organizate të PS-së dhe në të është propozuar emri i Ardit Kërtushës për kryetar të degës. Isaku deklaron se për çdo mbledhje organizate janë mbajtur procesverbalet përkatëse dhe kandidati Kërtusha është propozuar vetëm në 3 prej tyre dhe në dy të tjera emri i tij ka dalë krahas kryetarit aktual, Luan Zaza. Nga ana e tij, Kërtusha thotë së është propozuar në 9 organizata.
Kreu i ri i PS-së së Durrësit do të zgjidhet nga votat e 324 kryetarëve të organizatave socialiste që përfshin bashkia.
M.B.





