Kreu i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka reaguar pas lajmit të kompanisë amerikane “Moderna”, e cila njoftoi se vaksina e saj ka dhënë 95% efikasitet për mbrojtjen nga COVID-19.
“Ndërsa ne inkurajohemi kur dëgjojmë për vaksinat, jemi jashtëzakonisht të shqetësuar rreth rritjes së rasteve pozitive në disa vende, veçanërisht në Evropë dhe Amerikë”, tha Ghebreyesus.
Në një konferencë për shtyp, kreu i OBSH deklaroi se ka 150 ekipe mjekësore që ndihmojnë vendet në përgjigje të urgjencës së pandemisë.
“Ky është një virus i rrezikshëm pasi mund të sulmojë çdo sistem të trupit. Vendet që po e lënë pandeminë të mbetet e pakontrolluar po luajnë me zjarrin,” shtoi ai.
Gjithashtu, kreu i OBSH-së apeloi për veprim të menjëhershëm, duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion për të frenuar përhapjen e pandemisë, pasi sipas tij kjo është mënyra e duhur për të rritur ekonominë.
“Nuk ka asnjë justifikim për mosveprim. Vepro shpejt, vepro tani, vepro me vendosmëri. Duke mos përdorur gamën e plotë të mjeteve në dispozicion, çon në vdekje, vuajtje dhe dëmton jetesën. Mënyra më e shpejtë për të rritur ekonominë është të mposhtni virusin”– tha ai.