TIRANE, 24 mars 2013- Duke e cilësuar Kavajën si bastion të së djathtës, kreu i PR Fatmir Mediu ka kërkuar që edhe në 23 qershor kavajasit të shprehin besimin e tyre tek shumcia përmes votës.

Në një qytet ku pritet një garë e ethshme në ditën e zgjedhjeve, pasi prej dy vitesh administrohet nga një kryebashkiak i majtë, kryerepublikani Fatmir Mediu i kujtoi palëve politike se Kavaja nuk ka pasur dhe nuk do ketë asnjëherë pronar.

“Kavaja dhe qytetarët e saj kanë qënë dhe janë njerëz të lirë. Ata janë prirur gjithmonë tek besimi dhe dashuria në Zot, e kështu tek dashuria për njëri-tjetrin dhe për këtë është ndoshta një nga qytetet më unike” ka theksuar Mediu.

Duke e konsideruar zhvillimin ekonomik si lajmotiv të kësaj mazhorance, Mediu sulmoi taksimin progresiv të propozuar nga socialistët, që sipas tij do të shkatërojë sektorin privat.

“Ne bëmë një revolucion fiscal duke ulur taksat dhe së fundmi taksat mbi makineritë që përdoren për prodhim. Tendenca e PS-së për të ndryshuar sistemin fiscal, duke shkatërruar sektorin privat me idenën e publikes është rruga drejt një krize të pashmangshme ekonomike” theksoi Mediu.

Në aktivitetin e degës së Kavajës, kreu i PR-së Mediu kërkoi angazhim të strukturave për fitoren e sa më shumë votave në ditën e zgjedhjeve.