Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret të SHBA-së, Ronald Rowe tha të enjten para një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit se ka reformuar praktikat e sigurisë të agjencisë, pas atentatit ndaj Presidentit të zgjedhur Donald Trump në korrik.
Ai dëshmoi para një grupi pune të Dhomës së Përfaqësuesve të përbërë nga shtatë republikanë dhe gjashtë demokratë që ka hetuar dy atentatet ndaj zotit Trump gjatë fushatës presidenciale të këtij viti. Komisioni pritet të votojë për miratimin e një raporti përfundimtar brenda ditës.
“Është thelbësore që të pranojmë dështimin tonë më 13 korrik 2024. Unë personalisht mbaj peshën e vetëdijes se pothuajse humbëm një person nën mbrojtjen tonë dhe se dështimi ynë i kushtoi jetën një babai dhe bashkëshorti. I gjithë ky incident përfaqëson dështimin për të përmbushur pritshmëritë dhe përgjegjësitë e Shërbimit Sekret,”- dëshmoi zoti Rowe.
Shërbimi Sekret është përballur me pyetje mbi nivelet e personelit dhe aftësitë e komunikimit pas atentateve ndaj zotit Trump. Një person i armatosur qëlloi tetë herë gjatë një tubimi të fushatës së zotit Trump në Butler të Pensilvanisë në korrik, duke plagosur zotin Trump në vesh dhe duke vrarë një tjetër pjesëmarrës. Personi i armatosur u qëllua për vdekje nga një snajper i Shërbimit Sekret.
Dy muaj më vonë, një burrë i armatosur u fsheh pranë një fushe golfi në pronësi të zotit Trump në Florida, me synimin për të vrarë kandidatin e atëhershëm republikan ndërsa ai luante golf, siç thanë prokurorët. I dyshuari, Ryan Routh ka deklaruar se është i pafajshëm për akuzat federale dhe është në pritje të gjykimit.
Zoti Rowe u vlerësua nga shumë ligjvënës republikanë për bashkëpunimin me hetimin, por ai reagoi me zemërim ndaj ligjvënësit republikan Pat Fallon pasi ky i fundit ngriti pyetje mbi pjesëmarrjen e zoti Rowe në një ceremoni këtë vit që përkujtonte përvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit 2001.
“Mos e përdorni 11 shtatorin për qëllime politike! Po e teproni, kongresmen”, – ngriti zërin zoti Rowe, duke shtuar se ai ishte pjesë e ndërhyrjes së shpejtë në Qendrën Botërore të Tregtisë pas sulmit dhe mori pjesë në ceremoni për të përfaqësuar Shërbimin Sekret. Zoti Fallon tha se ai po bënte “pyetje serioze” duke dashur të dinte nëse zoti Rowe ishte atje për mbrojtjen e zyrtarëve të nivelit të lartë në ceremoni.
Zoti Rowe ka thënë se ndjehej “i turpëruar” për gabimet e sigurisë lidhur me atentatin në Pensilvani. Ai mbrojti përgjigjen e agjencisë në incidentin e Floridës, duke lavdëruar një agjent që vuri re personin e armatosur përpara se ai të hapte zjarr. Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret tha se ka bërë një sërë ndryshimesh pas të shtënave, përfshirë rritjen e trajnimit për agjentët, përmirësimin e e komunikimit me forcat lokale të zbatimit të ligjit dhe rritjen e numrit të agjentëve të shërbimit sekret që mbrojnë zotin Trump.
Zoti Rowe dëshmoi se është përpjekur të eliminojë atë që ai e quajti “mendësinë për të bërë më shumë me më pak” në Shërbimin Sekret, për të cilën ai tha se ka një “efekt degradues” tek agjencia. Ai tha se agjencia po merr masa për të rritur personelin dhe është në procesin e punësimit të 650 agjentëve specialë dhe 350 oficerëve në muajt e ardhshëm.
Të shtënat në tubim tronditën besimin tek Shërbimi Sekret, duke dëmtuar reputacionin e grupit elitë që mbron presidentët dhe personalitetet e larta në SHBA, motoja e të cilit është “zero dështim”. Shërbimi Sekret në përgjithësi nuk ka qenë në shënjestër të kritikave të zotit Trump ndaj organeve federale të zbatimit të ligjit dhe zotimeve për të reformuar qeverinë, por përgjigja e agjencisë ndaj atentatit në Pensilvani u dënua nga të dyja palët e politikës.
Një raport paraprak i grupit të punës të Dhomës së Përfaqësuesve, i lëshuar në tetor, zbuloi një mungesë koordinimi midis Shërbimit Sekret dhe organeve lokale të zbatimit të ligjit përpara tubimit të korrikut. Ligjvënësi republikan Mike Kelly, kryetar i grupit të punës, vlerësoi zotin Rowe për zbatimin e reformave dhe e vuri theksin tek ajo që ai e quajti një kulturë vetëkënaqësie në agjenci.
Zoti Kelly tha se kur zoti Trump u kthye në Butler të Pensilvanisë për një tubim tjetër në tetor, ndryshimi në masat e sigurisë ishte “si dita me natën”.