Paraditen e sotme, në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike, në UAMD, u mbajt konferenca e 8-të ndërkombëtare “Shteti, shoqëria dhe ligji; sfidat dhe kushtet për paqen, demokracinë, zhvillimin dhe integrimin”.

Një numër i konsiderueshëm punimesh dhe hulumtimesh me qëllim garantimin e demokracisë dhe drejtësisë ishin temat kryesore të konferencës, ndërkohë që të ftuar nderi në të ishin drejtuesi i SPAK Altin Dumani dhe Avokatja e Popullit,  Erinda Ballanca.

Gjatë fjalës së tyre, kreu i SPAK dhe Avokatja e Popullit e vunë theksin në rëndësinë që ka marrë vitet e fundit zbatimi i ligjit njësoj për të gjithë dhe besimi i shtuar i qytetarëve tek institucionet e drejtësisë për të çuar pas hekurave zyrtarët e korruptuar, të të gjitha niveleve.

“Ne po përpiqemi të garantojmë që ligji të lexohet njësoj pa privilegjuar disa dhe pa harruar disa të tjerë. SPAK ishte një ndër produktet e reformës në drejtësi dhe në këto vite të punës së tij ka treguar se është i aftë të ushtrojë ndjekjen penale ndaj çdo subjekti pavarësisht fuqisë politike, ekonomike apo lidhjeve që mund të ketë me botën e krimit dhe kryesisht me botën e krimit të organizuar”,– tha Dumani para të pranishmëve në konferencë.

“Ne kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë të mbështesim institucionin e SPAK, pasi synojmë të arrijmë rezultate si ato që ky institucion ka arritur aktualisht. Duhet një punë jashtëzakonisht e madhe për të fituar besimin e publikut në nivelin ku ndodhemi sot, madje edhe në një nivel rajonal. Pavarësisht se unë dhe z. Dumani kemi çështje për të cilat nuk biem dakord, dëshiroj të tërheq vëmendjen te rëndësia e reformës në drejtësi dhe rikthimi i besimit të publikut në atë që quhej “reformë në drejtësi”. Kjo reformë ka shërbyer si një mekanizëm shumë efektiv për përmirësimin e imazhit të shtetit tonë dhe, në disa raste, si një dëshmi se puna mund të bëhet siç duhet dhe se pandëshkueshmëria mund të eliminohet.”, – tha Ballanca ndër të tjera gjatë fjalës së saj.

Konferenca shkencore vijoi më pas me prezantimin e punimeve të ndryshme shkencore të ndara në sesione sipas tematikave të tyre.

M.B.