Figurës kryesore të opozitës ruse, Aleksei Navalni i janë bllokuar llogaritë bankare pas një urdhri gjykate, thotë zëdhënësja e tij.
Një ditë më parë ai doli nga spitali ku po trajtohej për helmim me agjentin nervor Noviçok.
“Ata sekuestruan pasuritë dhe banesën e një personi i cili ishte në koma,” tha Kira Jarmish.
Jarmish tha se zyrtarët kishin sekuestruar pasuritë e Navalnit në 27 gusht, duke përfshirë apartamentin e tij në juglindje të Moskës.
Masa vjen pas një procesi gjyqësor të ngritur nga kompania e hotelierisë “Moscow Schoolchild”, në pronësi të biznesmenit të pasur rus Evgjeni Prigozijn, i njohur si “shefi i kuzhinës së Putinit”.
Navalni, Fondacioni i tij Anti-Korrupsion dhe një bashkëpunëtor i tij bënë një video duke vënë në dyshim cilësinë e produkteve të restorantit pas shpërthimit të një helmimi me ushqim në shkollat e Moskës në 2018.
Por në tetor 2019 një gjykatë i urdhëroi ata që të fshinin videon dhe të paguanin 88 milionë rubla (1.1 milionë dollarë) dëmshpërblim për shpifje, duke thënë se ata i kishin shkaktuar dëme morale kompanisë.
Ekipi i tij akuzon Presidentin Vladimir Putin se ka urdhëruar helmimin e Navalnit, diçka që Kremlini e mohon me forcë.
Figura kryesore e opozitës dhe kritiku i zëshëm i Putinit u rëndua gjatë një fluturimi në Siberi më 20 gusht dhe më vonë u transferua në spitalin “Charité” në Berlin për mjekim.
Qeveria gjermane tha se laboratorët në Francë dhe Suedi kishin rikonfirmuar testet gjermane që tregonin se helmi i përdorur për Navalnin ishte një agjent i Noviçok dhe qeveri të shumta kanë kërkuar një shpjegim.
Kremlini megjithatë ka thënë se nuk ka asnjë provë për këtë.
Pasi doli nga spitali të mërkurën, zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se Navalni ishte “i lirë” të kthehej në Moskë “në çdo moment” dhe i uroi “një shërim të shpejtë”.