Eksportet bujqësore drejt rajonit dhe BE-së u rritën në vlerën e 55.1 miliardë lekëve, gjatë vitit 2022,duke shënuar nivelin më të lartë të rritjes në ekonominë bujqësore shqiptare.
Krahasuar me një vit më parë eksportet bujqësore u rritën në sasi me 15.6% gjatë vitit 2022 dhe në vlerë 18.1% më shumë.
Duke iu referuar statistikave, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca tha se, eksportet bujqësore shqiptare, kanë përshpejtuar trendin në rritje në sasi dhe në vlerë.
Faktorët që kanë ndikuar në rritjen e prodhimit janë puna e fermerëve pavarësisht një viti të veshtirë, rritja e ndjeshme e masave mbështetese nga buxheti shtetit si dhe shtimi i pikave te grumbullimit dhe eksportit.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural krahas investimeve në vepra vaditëse dhe kullimi, në kushtet e krizës nga lufta në Ukrainë, përmes Skemës Kombëtar dhe të naftës pa taksa, ka mbështetur me financim fermerët për uljen e kostove të prodhimit.
Sipas statistikave, eksportet e zarzavateve rezultuan me rritjen më të madhe në qarqet me bujqësinë më intensive në vend, si Berat, Lushnjë, Fier e Divjakë, ku sigurohet mbjellje me dy sezone.
Ndër produktet kryesore të eksportuara janë perimet e serrave, domatja, kastraveci, speci, lakra, qepa, preshi etj.
Ndërsa gjeografia e eksporteve “Made in Albania” është shtrirë në 78 shtete të botës.
Ambicia e qeverisë shqiptare është që brenda kësaj dekade eksportet e prodhimeve bujqësore të arrijnë në një miliard USD nga 500 milionë USD që janë sot.