Sekretarja për të Përndjekurit Politikë në PD dhe pedagogia e gazetarisë, Jonila Godole, e ka cilësuar si një ogur të keq për lirinë e shprehjes dhe gazetarinë, krijimin e një agjencie të re për mediat dhe informimin.

Godole shkruan ne rrjete sociale se shoqatat e medias duhet të reagojnë ndaj këtij vendimi që ve në jetë ligjin “antishpifje”.

“Fakti që një ndër vendimet e para të marra sot nga qeveria “Rama 3” qe krijimi i një Agjencie për Mediat dhe Informimin, është ogur i keq për lirinë e shprehjes dhe gazetarinë.

Sepse ky duket që do të jete mandati i propagandës dhe censurës së ligjëruar me vulë kryeministrore! Sot kryeministri kurorëzoi ligjin “antishpifje“, për të cilin mori goditje dy vjet më parë nga të gjitha institucionet ndërkombëtare.

Shpresoj që shoqatat e gazetarëve, Këshilli i Medias dhe Etikës dhe gjithë organizmat e tjera të shprehen kundër kësaj VKM që cenon dukshëm lirinë e shprehjes në Shqipëri”, shkruan deputetja demokrate.