Mjekë dhe shkencëtarë kanë arritur të krijojnë medikamentin e parë që do të ngadalësojë sëmundjen e Alzhaimerit. Një kompani amerikane ka gati terapinë për personat e prekur nga humbja e kujtesës.

Lajmi ishte i papritur, pasi kompania kishte ndërprerë punën për ilaçin në mars të këtij viti pas zhgënjimit nga rezultatet, por 8 muaj më vonë përpjekjet intensive shënojnë një arritje në fushën e mjekësisë, shkruan Klan Plus.

Ky medikament do të ngadalësojë humbjen e kujtesës dhe do të pengojë që aftësitë për të vepruar e menduar të bien pre e sëmundjes.

Shkencëtarët mendojnë se me përdorimin e këtij ilaçi, qelizat e trurit do të pastrohen, gjë që konsiderohet si përparim i madh në trajtimin e Alzhaimerit.

Synohet që ilaçi të ofrohet fillimisht për pacientët që morën pjesë në studimet e grupit të ekspertëve dhe më pas për të gjithë të prekurit, natyrisht kundrejt një çmimi që mendohet të jetë i kripur, por ende nuk është bërë publik.

Gjithsesi, do të duhet të presim për rreth 2 vite, pasi procesi i miratimit nga autoritetet mjekësore kërkon kohën e vet.