DURRËS, 10 mars 2015 – Në panairin e Lajpcigut në Gjermani për vitin 2015, që do të zhvillohet në datat 12-15 mars, do të flitet edhe për Durrësin. Ministria e Kulturës ka mbështetur financiarisht Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, që përfaqëson stendën e letrave shqipe në këtë panair dhe autorët e zgjedhur nga kjo shoqatë: durrsakët Arian Leka dhe Gëzim Qendro.
Sipas Ministrisë së Kulturës, poeti dhe eseisti Arian Leka do të marrë pjesë në debatin me temën: “Mbi damarët mesdhetarë dhe venat ballkanike”. Organizuar nga “Traduki” dhe Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, në panel do të flitet për Durrësin, zbulimi i një qyteti shqiptar mesdhetar. Në programin zyrtar të Panairit shkruhet:
“Shqipëria është ende vendi më misterioz i Evropës. Jo vetëm për shkak të izolimit të saj të gjatë dhe veçantive gjuhësore. Enver Hoxha dhe njëqind mijë bunkerë tashmë përbëjnë një terminologji të fiksuar për shumë njerëz. Por si duket Shqipëria përtej këtyre figurave të mirënjohura? Poeti dhe eseisti shqiptar, Arian Leka, i ka kushtuar një pjesë të madhe të veprës së tij artistike identitetit mesdhetar të Shqipërisë dhe qytetit të tij të lindjes, Durrësit. Uve (Uwe) Rada, gazetar dhe autor, ka udhëtuar përgjatë bregdetit të Adriatikut në Itali, Kroaci, Mal të Zi, Bosnie dhe Hercegovinë dhe Shqipëri dhe ka shkruar një histori kulturore të Adriatikut dhe të Evropës (Adriatiku. Rizbulimi një vendi malli, 2014)”.
Autorët dhe botuesit shqiptarë do të jenë pjesë e familjes së madhe të më shumë se 40 shkrimtarëve nga Juglindja e Evropës, nga Sllovenia në Bullgari, nga Rumania deri në Bosnje e Mal të Zi. Filmi, muzika, “Nata Ballkanike” janë pjesë e një programi të ngjeshur të rrjetit “Traduki”, partner zyrtar i Panairit të Lajpcigut, ku prej një viti i bashkëngjitet edhe Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë. Kritiku dhe studiuesi i artit, Gëzim Qendro do të marrë pjesë në “Natën Ballkanike”, e cila krijon mundësinë e leximeve autoriale, debateve, bisedave e shkëmbimeve mes autorëve dhe shtëpive botuese.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





