BERAT – Një tjetër rast i krimit në familje është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Berat. Një i ri ka plagosur me thikë babain e tij, 46-vjeçarin Astrit Pisku. 

Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës në lagjen “30 vjetori”, ndërsa është bërë e ditur vetëm mesditën e sotme.

Mësohet se baba e bir janë konfliktuar në rrugë, ndërsa sherri ka degjeneruar në përdorimin e thikës nga i riu, i cili ka qëlluar të atin 4 herë me mjetin e mprehtë, duke i shkaktuar plagë të rënda në trup.

Momentalisht mbeten ende të paqarta shkaqet e ngjarjes, ndërkohë që policia po vijon hetimet. 

Mësohet se i plagosuri ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ndërsa djali i tij është prangosur nga policia.