6 qershor 2015 – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pas mesnatës në fshatin Thumanë të Krujës, ku 3 persona nga e njëjta familje janë qëlluar për vdekje dhe një tjetër është plagosur me armë zjarri pranë banesës së tyre.

Mësohet se viktimat e sulmit janë: 79-vjeçari Fran Ceku, djali i tij 46-vjeçari Arben Ceku, si dhe nipi i familjes së tyre 20-vjeçari Eno Rama.
Ndërsa e plagosur ka mbetur gruaja e Franit, Lucie Ceku 66 vjeçe, e cila është transportuar në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë për të marrë një trajtim të specializuar. 

Efektivët e policisë dhe forcat speciale kanë mbërritur në vendin e krimit dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe për identifikikimin e autorëve.

Sipas burimeve policore, në atentat ka qenë i përfshirë më shumë se një person, pasi janë gjetur gëzhoja të dy armëve të ndryshme, një kallashnikov dhe një pistoletë.

Nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes, mendohet se sulmi mund të jetë shkaktuar pas një sherri banal të mëparshëm mes dy palëve, viktimave dhe autorëve. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/