Një i vrarë dhe tre të plagosur është bilanci i një ngjarjeje të ndodhur rreth orës 23:20 të së enjtes, në afërsi të “Ujit të Ftohtë” në Vlorë, në ambientet e një lokali.

Një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të disa personave, duke lënë të vdekur në vend një 33-vjeçar.

Viktima është identifikuar si shtetasi Ergys Gjioveshaj, ndërsa të plagosur nga kjo ngjarje kanë mbetur Florian Hila 28 vjeç, Arslonel Llanaj 32 vjeç, si dhe 26-vjeçarja Arta Luka. Ata u dërguan në spitalin e Vlorës dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit, megjithatë grupi hetimor po punon për zbardhjen e saj. Policia ngriti pika kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.

Mësohet se janë shoqëruar disa persona në polici me qëllim zbardhjen e ngjarjes.