22 korrik 2015 – Adoleshenti shqiptar 17-vjeçar Ismael Lulli, u ther nga dy miqtë e tij për shkaqe xhelozie.
“Një krim pasioni, i ekzekutuar me një dhunë makabre”, është përkufizuar nga autoritetet vrasja e Lullit, krim i cili është pranuar dhe nga vetë autorët Igli Meta, 20 vjeç dhe Marjo Mema, 18 vjeç.
Motivi i kësaj xhelozie ishte një vajzë 19-vjeçare maqedonase, e dashura e njërit prej shqiptarëve, Igli Metës, me të cilën 17-vjeçari kishte raporte miqësie.
Si ndodhi vrasja
Meta vendosi ta ndëshkonte shokun e tij, pasi ishte i bindur që po dilte me të dashurën e tij. Së bashku me shokun tjetër, dy të rinjtë e futën në kurth 17-vjeçarin, duke i kërkuar të laheshin bashkë në lumë, në Salva Nera, vendi i krimit. Mediet italiane shkruajnë që ai u besonte miqve të tij, dhe kur e ftuan ai pranoi të shkonte menjëherë. Në befasi, ata e qëlluan në kokë, më pas e lidhën me shirit ngjitës dhe vetëm një goditje me thikë në fyt i morën jetën adoleshentit Lulli. Pasi e kanë vrarë, trupin e viktimës e kanë hedhur në një luginë. Sipas dinamikës së ngjarjes së ndërtuar nga policia, dy të rinjtë më pas ishin larë në lumë për të hequr njollat e gjakut.
Arrestimi i vrasësve
Igli Meta ishte gati të kthehej në Shqipëri në momentin e arrestimit. Kur karabinierët kishin shkuar për ta pyetur, 20- vjeçari ndoshta po përgatitej të largohej, pasi flinte në makinë dhe kishte me vete një sasi parash.
Ka qenë shoku i tij, Marjo Mema që ka pranuar krimin dhe ka bashkëpunuar me hetuesit. Në rindërtimin e fakteve Mema, ka një pozicion më pak të rëndë se Meta, i cili ka qenë ekzekutori i krimit. Hetimet vijojnë, por ende nuk është gjetur arma e krimit.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/