Ukrainë, 16 mars 2014 – Rezultatet e exit poll-eve në referendumin e zhvilluar sot në gadishullin ukrainas tregojnë se Krimea kërkon të bashkohet me Rusinë. Sipas të dhënave të televizionit publik rus, “Rossia 24”, 93% e qytetarëve kanë votuar pro këtij bashkimi. Pjesëmarrja në referendum ka kaluar mbi 64%. Ndërkohë SHBA dhe BE e kanë cilësuar si ilegjitim referendumin në Krime, duke paralajmëruar se nuk do të njohin asnjë rezultat.
Sipas rezultateve paraprake të referendumit, pjesëmarrja ka qenë në nivelin e 64% të votuesve, ndërsa rreth 1 milion vendas i kanë thënë ‘po’ kalimit të Krimesë nga Ukraina drejt Rusisë.
Bashkimi Europian e konsideron referendumin në Krime të paligjshëm dhe nuk do të njohë rezultatin e tij. Përmes një deklarate të përbashkët, Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, dhe kreu i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, thanë se zhvillimi i këtij procesi bie ndesh me Kushtetutën e Ukrainës dhe ligjin ndërkombëtar.
Në Shtetet e Bashkuara, John Kerry, gjatë një bisede telefonike i përsëriti ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se “referendumi në Krime është i paligjshëm dhe rezultati i tij nuk do të njihet”. Ai i tha homologut rus, se kriza në Ukrainë mund të zgjidhet vetëm në mënyrë politike dhe Rusia duhet të tërheqe trupat dhe të adresojë tensionet dhe shqetësimet për angazhimet ushtarake.
Rajoni i Krimesë ishte pjesë e Rusisë deri në vitin 1954. Aty ndodhet dhe Flota Ruse e Detit të Zi, por Moska ka nënshkruar disa marrëveshje, përmes të cilave ka premtuar ruajtjen e integritetit territorial të Ukrainës. Më herët, Rusia i vuri veto rezolutës së OKB-së për referendumin. Dokumenti i hartuar nga Shtetet e Bashkuara u mbështet nga 13 anëtarët, u abstenua nga Kina dhe mori veton e Rusisë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





