Krime, 17 mars 2014 – Pas referendumit për bashkim me Rusinë, parlamenti i Krimesë shpalli Republikën e Krimesë si shtet të pavarur e sovran, brenda të cilës ka një status të veçantë qyteti i Sevastopolit. 85 deputetë votuan pro, ndërsa është kërkuar zyrtarisht bashkimi me Rusinë dhe njohja nga vendet e tjera të OKB. Menjëherë pas këtij vendimi të parlamentit të Krimesë ka ardhur reagimi i ministrave të Bashkimit Europian, të cilët kanë vendosur sanksione ndaj 21 zyrtareve ruse dhe ukrainas pas rezultatit të referendumit në Krime. Me të njëjtin qëndrim u bashkuan edhe SHBA-të. 

Gadishulli i kontrolluar aktualisht prej forcave pro-ruse votoi me shumicë dërrmuese, 97%, pro bashkimit me Rusinë. Qeveria ukrainase e cilësoi votimin "një numër cirku” e tha se nuk do ta njohë përfundimin e tij. Por në kryeqytetin rajonal të Krimesë, Simferopol, turma të mëdha njerëzish dolën në sheshin 'Lenin' të festojnë. 

Për Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara, referendumi ishte krejtësisht i paligjshëm, por Moska këmbëngul se ai është në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Zyrtarisht, liderët e Krimesë do t'i dorëzojnë sot Kremlinit kërkesën për bashkim. 

Parlamenti rus duhet të priste normalisht deri të premten për të nisur diskutimet mbi një legjislacion të përshtatshëm, por në kushtet aktuale, ka shumë gjasa që procesi i absorbimit të Krimesë të zhvillohet sipas ligjeve ekzistuese.

Nëse as ngrirja e aseteve dhe kufizimi i vizave nuk bën punë, atëherë blloku europian mund të kalojë në një tjetër fazë veprimi, që përfshin sanksionet ekonomike. 58% e popullsisë së Krimesë përbëhet nga rusët etnikë, e pjesa tjetër përbëhet nga ukrainas e tartarë.

 

/agjencia e lajmeve ‘Dyrrah”/