Nga Gjirokastra, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, foli edhe për ngjarjet e rënda të ndodhur ditët e fundit në vend.
Ministri u shpreh se ditët e fundit, në vend kanë ndodhur 10% e vrasjeve që ndodhin gjithë vitin.
Por Lleshaj shtoi se pavarësisht ngjarjeve të rënd atë regjistruara, “nuk shembet Shqipëria as siguria, për një ngjarje, as për dy”.
Lleshaj shton se numri i veprave të rënda kriminale në vend, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është më i ulët.
“Keni dëgjuar shumë vrasje këto ditë. Madje këto ditë kanë ndodhur pothuajse 10% e vrasjeve që kanë ndodhur gjithë vitin në Shqipëri. Kjo është diçka e cila për fat të keq, për sa kohë kemi njerëz, edhe ndodh që mund të kesh 2-3 ditë që ke një përqendrim të veprave kriminale dhe pastaj ke 2-3 muaj që s’ke asnjë vepër kriminale. Kjo nuk na bën ne të humbasim toruan dhe të biem në panik.
Unë ju ftoj që ta kundroni, të shihni ftohtë situatën e rendit dhe sigurisë dhe mos të biem në panik nga një ngjarje që të themi u shemb! Nuk shembet Shqipëria, as siguria, për një ngjarje, as për dy. Por ju them që gjithsesi, numri i veprave të rënda kriminale në Shqipëri është ky që është. Jemi më pak, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, jemi shumë më poshtë, jemi shumë më poshtë sesa çdo periudhë e ngjashme e historisë sonë. Kaq është. Kjo është e provueshme”, tha Lleshaj.





