Tiranë, 7 qershor 2014  – Gjykata e Krimeve të Rënda lë në burg Kleviol Ahmetaj, të riun e arrestuar pak ditë më parë në Lushnje. Ahmetaj ra në pranga e policisë si personi i dyshuar se ka paketuar lëndën narkotike e cila do të ngarkohej në avionin e pilotit italian Giorgio Rifotmato të bllokuar në zonën e plazhit të Divjakës një muaj më parë. Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore për masën e sigurisë Gjykatësja Ilirjana Olldashi nuk lejo gazetarët në sallë.

Ahmetaj u arrestua pasditen e të mërkurës në Lushnjë, nga skuadrat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale. Arrestimi erdhi pas një mandati të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi gjurmët e gishtërinjve të tij në pakot e drogës së sekuestruar në plazhin e Divjakës në 10 maj. Ahmetaj, akuzohet se bashkë me Aurel Pupen, po nga Lushnja, kanë paketuar dhe ndihmuar Bajramajn të dërgojë drogën në plazh.

Për trafikimin e mbetur në tentativë të rreth 460 kg marijuanë, janë aktualisht 4 të arrestuar ndërsa hetimet e krimeve të rënda vijojnë. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/