Gjykata e Krimeve të Rënda ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-deputetin socialist dhe ish-drejtorin e Burgjeve, Arben Çuko, nga "arrest shtëpie" në "detyrim paraqitje".
Gjykata më 16 korrik ka kthyer dosjen për Çukon, për plotësim hetimesh duke i konsideruar ato të deritanishme të paplota dhe me mangësi në drejtim të provave.
Arben Çuko ra në pranga në kuadër të operacionit "VOL-VO4" më 18 tetor të vitit të kaluar dhe akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Emri i tij doli në përgjimet e grupit Avdylaj. Çuko akuzohet se në kohën kur ka qenë në krye të Drejtorisë së Burgjeve ka miratuar transferimin e të dënuarit Olsi Karagjozi kundrejt ryshfetit 3.000 euro.





