Pas pengmarrjes që ndodhi sot në Tiranë dhe pas krimeve të fundit që po tronditin mbarë vendin çdo ditë, ka reaguar Partia Demokratike. Në një dalje për mediet nga selia blu, anëtari i Këshillit Kombëtar Ervin Salianji, deklaroi se garancitë për jetën, sigurinë, rendin, kanë rënë në Shqipëri në mënyrë dramatike si asnjëherë tjetër.

“Pak minuta më parë, në mes të ditës, në mes të Tiranës, një 39 vjeçar u mor peng në prani të fëmijës së tij të mitur. Dje u ekzekutua në mënyrë mafioze një 44 vjeçar në Fier. Një person i pajetë u gjet sot në Klos. Kjo është kronika e 24 orëve të fundit. Ndërkohë që bilanci i këtyre 9 ditëve është tronditës, 21 viktima në vrasje dhe në aksidente. Ky është sundimi i krimit, i bandave, i trafikantëve”, tha Salianji.

PD nuk la pa akuzuar edhe kreun e Ministrisë së Brendshme, Saimir Tahirin, që sipas demokratëve është pikërisht ai që ka lidhje me mafien.

“Larje hesapesh, ekzekutime mafioze tipike të karteleve të drogës, rrëmbime personash në mes të qytetit. Këto krime tronditëse janë kthyer në zhvillime të përditshme. Dhe çdo ditë mund të ndodhin shpërthime të tilla kriminale, sa kohë që nxitësi kryesor i krimit, i trafikut të drogës, i paligjshmërisë, i paprekshmërisë së bandave kryesore, është Saimir Tahiri”, tha Salianji, i cili theksoi se krimi sjell krim, një cikël ky që po zmadhohet çdo ditë e më shumë.