Jorgo Zani, 31-vjeçari që vrau veten duke u hedhur nga tarraca e katit të dytë të IEVP-së së Krujës, është personi që tronditi dhe shokoi mbarë opinionin publik një vit më parë me krimin e tij horror.

Jorgo Zani është njeriu që ka kryer krimin më të rëndë të dëgjuar kohët e fundit në vend. Ai i preu kokën 12-vjeçarit Andrea në Palasë dhe i masakroi trupin.

KRIMI MAKABËR 

“E vrava se më mërziti”. Kjo ka qenë “mbrojtja” e vetme që autori i masakrës së Palasës, Jorgo Zani, ka thënë para policisë në momentin e arrestimit të tij. Ngjarja ndodhi më 17 gusht 2016, kur iu mor jeta në mënyrë makabre 12- vjeçarit Andrea Zariu.

Autori, i cili rezulton se ka qenë i shtruar disa herë në psikiatrinë e Vlorës, nuk ka dhënë ndonjë dëshmi për krimin makabër. Të vetmet fjalë për vrasjen, që ai i ka thënë grupit hetimor pas arrestimit në flagrancë, janë këto: “E vrava se më mërziti”.

Nga ana e grupit hetimor të ngritur për të zbardhur krimin e ndodhur, më 17 gusht, në Palasë, nuk dihen ende rrethanat në të cilat u vra 12-vjeçari. Asnjë dëshmitar nuk ka pasur në momentin, kur u krye masakra.

Sipas burimeve, nuk u është dhënë dot një shpjegim fjalëve të autorit se viktima e kishte mërzitur dhe prandaj ai e ka vrarë. Nga verifikimet në vendngjarje rezulton se autori e ndoqi fëmijën, djalin e kushërirës së tij, për gati 150 metra me hanxhar në dorë.

Pasi e arriti në rrugën e fshatit e qëlloi për vdekje, duke i prerë kokën fëmijës. Banorët e zonës treguan se autori ishte person me probleme mendore, por në dy raste, spitali psikiatrik i Vlorës e kishte lënë të lirë, me justifikimin se pas marrjes së mjekimit gjendja e tij nuk ishte shqetësuese.

Në fakt, ai u bë personi që solli fatkeqësinë në familjen Zariu, duke i marrë jetën në mënyrë makabre djalit të vogël të saj, vetëm 12 vjeç. Viktima kishte dashur të qëndronte për pushimet e verës te gjyshërit nga nëna, ku dhe iu mor jeta pabesisht.