Kurbin, 27 maj 2014 – Ngjarja e ndodhur në Kurbin javën e kaluar vijon të mbetet plot pikëpyetje. Grupi hetimor ende nuk ka saktësuar nëse 40-vjeçarja Mimoza Keqi vrau vajzën e saj 15-vjeçare dhe më pas u vetëvra, apo nënë e bijë u ekzekutuan nga një person i tretë.
Blutë e Kurbinit dyshojnë se vajza dhe nëna e saj mund të jenë vrarë. Shkak për këto dyshime janë bërë disa prova në vendngjarje si dhe dëshmitë e familjarëve.
Mimoza Keqi dhe vajza e saj 15-vjeçare, Desara Keqi, janë gjetur përballë njëra-tjetrës, që të dyja të vdekura. Ndërsa arma e krimit tip automatik është gjetur në mes dy trupave të pajetë, edhe pse kanë pasur një distancë nga njëra-tjetra më shumë se tre metra. Pozicionimi i dy viktimave përballë njëra-tjetrës ka hedhur edhe hije dyshimi mbi këtë vrasje. Ekspertët dyshojnë se 40-vjeçarja mund të jetë vrarë jo në oborrin e banesës, por diku tjetër dhe të jetë tërhequr zvarrë dhe të jetë vënë përballë trupit të pajetë të vajzës së saj të vetme, shkruan sot GSH.
Këto dyshime përforcohen edhe nga deklaratat e kryefamiljarit Mark Kuqi, i cili është shprehur se bashkëshortja dhe vajza e tij 15-vjeçare nuk kanë pasur ndonjëherë konflikte. Policia ka dërguar armën e krimit në Institutin e Balistikës për të kryer ekspertizën, për të parë edhe gjurmët e gishtërinjve se nga kush është përdorur arma.





