Një i afërm i vajzës që u gjet e mbytur në Golem, ka folur për “News 24” dhe ka deklaruar se ata nuk dinë asgjë për lidhjen e të resë me autorin.
Sipas tij, Jonida Çanaku ishte larguar prej dy ditësh nga banesa me arsyen se do shkonte tek tezja. I afërmi ka thënë se vajza ka qenë e fejuar dhe ishte ndarë 3 vjet më parë.
Prokuroria sakaq, bën me dije detaje të reja nga ngjarja tragjike që tronditi opinionin sot në Krutje të Lushnjës dhe në Golem.
Mësohet se ka qenë një telefonatë rreth orës 07:00 të mëngjesit të sotëm, që ka njoftuar sallën operative të Komisariatit të Lushnjes se, në fshatin Krutje, është gjendur i vrarë me armë zjarri Sokrat Shani.
Menjëherë ka shkuar në vendngjarje grupi hetimor, ku rezultoi se në një nga dhomat e banesës 3- katëshe në pronësi të shtetasit Sokrat Shani, është gjendur i vrarë me armë zjarri pistoletë, Shani.
Nga kqyrja e banesës, ku ndodhej kufoma, janë administruar e sekuestruar në cilësinë e provës, 3 letra të shkruara nga viktima Sokrat Shani, ku shkruan së është vrarë vetë. Gjithashtu, në një letër tjetër, të shkruar më datë 14.08.2016, ka shpjeguar se shtetësja J. Ç, ka ndërruar jetë dhe ndodhet te shtëpia në Golem, duke shënuar edhe adresën, si edhe ka lënë çelësat e shtëpisë mbi letër.
Ndërsa tek letra e tretë, viktima merr përsipër vrasjen e J.Ç, duke shpjeguar se gjithçka e ka kryer ai në gjendje të tronditjes psiqike.
Nga hetimi rezultoi se viktima Sokrat Shani prej disa kohësh ka patur lidhje me shtetasen J.Ç.
Grupi hetimor, i vënë në dijeni rreth faktit të përshkruar në këtë letër për faktin e ndërrimit të jetës së shtetases J. Ç., (në bashkëpunim me policinë në Kavajë) ka shkuar në banesën e përshkruar, në Golem-Kavajë. Është konstatuar se në banesë mbi krevat dopjo, gjendet me shenja dhune në grykë, një shtetase, ku nga verifikimi i sistemit TIMS, rezulton se është shtetasja J. Ç. Në banesë nuk janë gjendur dokumenta identifikimi të viktimë.
Familjarët e viktimës Sokrat Shani kanë shpjeguar se kanë qenë në banesë, në katin e parë, kur kanë dëgjuar krismë arme rreth orës 06-06.30 dhe, kur kanë shkruar në dhomën ku banonte Sokrati, kanë konstatuar se ishte i shtrirë dhe gjakosur në fytyrë.





