Dy personat në foton më poshtë, janë çifti i bashkëshortëve nga Xhafzotaj që u vranë në mnyrë mizore nga djali i tyre Leonard Nika, 29 vjeç.

Dyshohet se pas një sherri familjar, i riu qëlloi për vdekje babanë Ali Nika, 70 vjeç, dhe nënën Junije Nika, 66 vjeçe, që jetonin në Xhafzotaj. Ngjarja është regjistruar mëngjesin e djeshëm në orën 07:55, ndërsa policia bëri të mundur arrestimin e autorit disa momente më vonë. Sipas hetimeve paraprake, shkak për krimin dyshohet të ketë qenë një debat mes dy prindërve dhe djalit të tyre. Sipas burimeve nga policia e Durrësit, ai është i tronditur dhe nuk ka dhënë asnjë version për ngjarjen, pasi qëndron i heshtur dhe është mjaft i ngarkuar psikologjikisht.

Dëshmimtarët okularë thanë për “DurrësLajm” se 29-vjeçari Leo Nika ishte në gjendje depresioni. Ishte i martuar dhe me një fëmijë të vogël.
“Kishte tri deri në katër vjet që qëndronte i hutuar. Kishte mbetur pa punë dhe vinte në lagje, pinte një kafe, por nuk e kishim menduar se do vriste prindërit e tij. Ata kishin ardhur 25 vjet më parë nga Dibra dhe ishin shumë të qetë e paqësorë. Kishin dalë në pension të dy. Ishin familje e mirë”, thonë komshinjtë.





