26 korrik 2014 – “Panorama” shkruan sot se familjarët e çiftit Fiqi, viktimave të krimit në familje të ndodhur në Korçë mbrëmjen e së enjtes, e dinin se Edmond Fiqin e brente dyshimi për atësinë e fëmijës 5-muajsh. 

Ata pohojnë se 51-vjeçari Edmond Fiqi ka pasur konflikte me bashkëshorten e tij prej momentit kur lindi fëmija, më datë 4 shkurt të këtij viti, pasi dyshonte për atësinë.

Çifti ishte martuar prej 9 vitesh dhe pas disa abortesh, ishte hera e parë që 40-vjeçarja kishte sjellë në jetë një fëmijë shëndoshë e mirë.

Ngjarja e ndodhur në banesën ku jetonte prej vitesh çifti Fiqi dhe së fundi fëmija i tyre, ka nisur në një nga dhomat e banesës dhe ka përfunduar në derën e jashtme të shtëpisë. Në dhomën ku ndodhej Albina dhe Jani 5-muajsh, breshëria e automatikut ka lënë gjurmë në çdo objekt, pasi pikat e gjakut dhe njollat janë ende në mure, krevat e dysheme.

Dyshimet dhe xhelozia duket se kanë qenë shkaqet e krimit makabër të regjistruar dy netë më parë në Korçë.

Pas ngjarjes dhe përfundimit të ekspertizës mjekësore, trupi i 40- vjeçares Albina, mëngjesin e së premtes është nisur drejt Durrësit me kërkesë të familjarëve, ndërsa pak orë më vonë prej tyre është tërhequr edhe trupi i foshnjës.

Ndërkohë për autorin e këtij krimi të trefishtë dyert e mortit i ka hapur vëllai i tij. Në banesën e rrethuar me shirit ku dhe u konsumua krimi i frikshëm është e pamundur të hysh.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/