Tani që fakte të reja kanë dalë për vrasjen e 4 tetorit në bllok disa gjëra janë sqaruar edhe për rolin e këngëtares 31 vjeçare Elvana Gjata. Pothuajse po ravijëzohet me siguri se ajo nuk është ashtu sikurse u tha në fillim shkaku që bënë të shpërthenin armët në lokalin ku u vra me armë zjarri 28-vjeçari Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj e Eljon Hato.
Pas zhdukjes gati një mujore dhe shpalljes në kërkim këngëtarja është paraqitur vetë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku ka dhënë dëshminë. Këngëtarja se nuk i njeh asnjë nga personat e përfshirë në konflikt dhe se nuk ka qenë në lokal as para dhe as në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Po ashtu pohime të reja që po rrjedhin ga pyetja e dëshmitarëve kanë nxjerrë teza që pretendojnë se zënka me armë mund të ketë lidhje me biznesin e trafikut të drogës mes grupeve rivale nga të cilat këngëtarja mund të përjashtohet vetëvetiu.
Pra hipoteza e thënë në fillim, me sa duket për të fshehur gjurmët, se fama dhe hijeshia fizike e Elvana gjatës ishin bërë shkak për rrjedhjen e gjakut ka rënë. Me gjasë ajo është mbështetur si alibi për të mbuluar diçka më të madhe.
Por, ndërsa këto fakte të reja e lehtësojnë ciflosjen që iu bë imazhit të Elvanës, ato qe janë zbuluar nga deponimet e saj në polici hedhin hije dyshimi mbi versionin që ajo ka paraqitur.





