Durrës, 20 mars 2014 – Në seancën gjyqësore të zhvilluar një ditë më parë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Durrësit ndaj dy bashkëshortëve Ndoj dhe vajzës së tyre 21 vjeçare, Antoneta, të cilët akuzohen për vrasjen e krushkut dhe plagosjen e dhëndrit, kanë qenë të pranishme edhe 10 studente të Fakultetit të Infermierisë, shoqe kursi me nusen e re. Në një intervistë që korrespondentja e “Gazeta Shqiptare”, Klodiana Haxhiaj ka zhvilluar me njërën nga shoqet e Antonetës, kjo e fundit ka fajësuar vjehrrin dhe vjehrrën për ngjarjen e rëndë të 15 marsit. Anisa, njëra nga studentet, ka pohuar se bashkëshortët Hoxha nuk e donin nusen e djalit të tyre dhe se e përzunë duke e sharë "maloke". Më poshtë intervista e botuar sot në "Gazeta Shqiptare".
Anisa, çfarë lidhje keni me Antoneta Ndojin?
Unë me nëntë shoqe të mia kemi ardhur sot (dje) në gjykatë për të qenë afër Antonetës. Ne jemi studente në Fakultetin e Infermierisë në Universitetin e Durrësit dhe që prej tre vitesh jemi shoqe me Antonetën.
Antoneta është akuzuar për ngjarjen e rëndë që ndodhi në shtëpinë e prindërve të saj, ku mbeti i vrarë vjehrri dhe u plagos bashkëshorti i saj. Çfarë mund të na thuash për këtë?
Neta është aq vajzë e mirë, sa nuk mund të gjendet vajzë tjetër. Ne jemi tronditur nga ajo çfarë ndodhi, ndonëse ne ishim në dijeni të konflikteve që Neta kishte me prindërit e Xhulianit. Ju dini vetëm historinë që ka treguar familja e bashkëshortit të saj.
Mund të na thoni më konkretisht se çfarë konfliktesh kishte shoqja juaj studente me prindërit e bashkëshortit të saj?
Ajo na ka treguar para se të ndodhte ngjarja se vjehrra dhe vjehrri i saj nuk e kanë dashur për asnjë moment. Ata nuk kanë pranuar ta fusin në familje. E ofendonin dhe i thoshin se nuk ishte për ta, pasi është maloke. Madje, e vjehrra i thoshte që i kishte gjetur nuse tjetër Xhulianit dhe se shumë shpejt do ta ndanin. Nuk është aspak e vërtetë se Neta ka kërkuar që të largohet nga shtëpia e prindërve të burrit, pasi donte të jetonte në një banesë me qira.
Cila është e vërteta sipas jush?
E përsëris, vjehrra ia nxiu jetën Netës duke i thënë gjatë gjithë kohës se "Nuk dua nuse maloke në shtëpi. Nuk dua të përzihem me malokë". Nisur nga konfliktet e përditshme, daja i Xhulianit i mori për dy javë në shtëpinë e tij në Tiranë. Ai u kishte thënë Netës e nipit të tij: "Hajde jetoni në Tiranë sa të qetësohen sherret me prindërit". Neta pranoi të shkonte tek daja i Xhulianit, sepse e donte të shoqin. Edhe Xhuliani e donte Netën, por ishte djalë mamaje. Ai nuk i kundërshtonte prindërit e tij, edhe pse ata nuk ia donin nusen.
Prej sa kohësh ishin të lidhur Antoneta me Xhulianin?
Ata e shpallën fejesën në janar. Ishin prindërit e Xhulianit që shkuan në shtëpinë e familjes Ndoj dhe kërkuan dorën e vajzës së tyre dhe i çuan edhe "nishanet". Neta me Xhulianin u martuan dy javë para ngjarjes. Megjithatë, vrasja nuk mund të justifikohet absolutisht. Unë së bashku me shoqet kam ardhur ta mbështes, t'i them që kurrë nuk do të jesh vetëm.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





