Një ngjarje e rëndë me një familje shqiptare është shënuar në Janinë të Greqisë.   Sipas mediave vendase, bëhet fjalë për vdekjen e një gruaje shqiptare 54-vjeçare, ngjarje e ndodhur në nëntor 2015, por që u zbulua këto ditë.

54-vjeçarja kishte ndërruar jetë para disa muajsh si pasojë e dhunës nga bashkëshorti i vajzës së saj 27-vjeçare.

Familja shqiptare, identiteti i së cilës nuk është bërë publik, jetonte në Korfuz.

Më 17 nëntor 2015, dhëndri dërgoi në spitalin e Korfuzit vjehrrën e tij, me pretendimin se kishte humbur ndjenjat. Rezultoi që 54-vjeçarja kishte ndërruar jetë.

Pasi policia zhvilloi hetime për ketë çështje dhe pas autopsisë gruaja kishte vdekur si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj saj.

Ndërkohë dhëndri i së ndjerës, së bashku me gruan dhe dy fëmijët largohet nga Korfuzi.

Menjëherë, policia greke kishte shpallur në kërkim shqiptarin dhe vajzën e viktimës, 27-vjeçaren, e cila pas ngjarjes ishte arratisur me burrin dhe fëmijët e saj, ndoshta në Shqipëri, raportojnë mediat greke.

Por, ajo u arrestua para disa ditësh, kur u paraqit në spitalin ‘Haxhikosta’ në Janinë, për të vizituar foshnjen e saj 17 muajsh.

Nga verifikimet e dokumenteve, infermierja zbuloi se ajo ishte në kërkim për vdekjen e mamasë së saj dhe lajmëroi policinë.

27-vjeçarja akuzohet se kishte fshehur krimin, ndërkohë që bashkëshorti i saj vijon të jetë në kërkim.