Dy shqiptarë, babe e bir, që jetojnë në Kretë të Greqisë, dolën sot para gjykatës të ndarë për t’u njohur me masën e sigurisë pas vrasjes së djalit dhe vëllait të tyre, 26-vjeçar.
Babai 55-vjeçar akuzohet se vrau djalin e tij 26-vjeçar. Ndërsa djali tjetër më i vogël, 24 vjeç, mori pjesë në krim.
Nëna e viktimës ka thënë para hetuesve se djali iu vra për arsye krejt banale. Ngjarja ndodhi ditën e Krishtlindjes. Sikurse ka thënë, gjithçka nisi si zakonisht në një atmosferë festive. Më pas, ka deklaruar ajo, në shtëpinë e tyre shkoi edhe e dashura e djalit të vogël 24-vjeçar.
Babai i kërkoi 26-vjeçarit që t’i jepte vëllait laptopin për të zgjedhur muzikën që donte të dëgjonte. 26-vjeçari reagoi ashpër dhe u largua nga shtëpia. Vëllai i tij e ndoqi nga pas dhe filluan të grindeshin. Pas tyre shkoi menjëherë babai, i cili në sherr e sipër e qëlloi djalin me thikë.
26-vjeçari ishte goditur 7 herë me thikë duke humbur shumë gjak.
Ai u dërgua në spital në gjendje të rëndë, ku ndërroi edhe jetë.
Sipas nënës, kur në banesë u kthye djali tjetër me duart e gjakosura, kuptoi se çfarë kishte ndodhur.
Ajo doli nga banesa dhe pa në rrugë djalin e saj të therrur me thikë, ndërsa aty qëndronte edhe bashkëshorti i saj që kishte vrarë djalin e tij.
Familja u mundua fillimisht të fshehte ngjarjen, duke pretenduar se djali i tyre ishte sulmuar dhe goditur me thikë nga një person tjetër i panjohur.
Sipas mediave lokale, gjatë marrjes në pyetje, ishte nëna që filloi të tregonte se çfarë kishte ndodhur, dhe pastaj vëllai i viktimës që konfirmoi versionin e ngjarjes.
Në deklaratën e tij për mediat, avokati mbrojtës i 55-vjeçarit, Alexandros Foukarakis, theksoi se babai ishte vetëmbrojtur dhe se nuk mbante mend asgjë nga tronditja.
Sipas avokatit, viktima kishte një problem me përdorimin e lëndëve narkotike dhe ditën e vrasjes ishte nën ndikimin e tyre.
Ai gjithashtu pretendon se viktima kishte goditur babanë e tij disa herë në të kaluarën, dhe ky i fundit i kishte dhënë atij 2-3 mundësi. Por ditën e incidentit, babai donte të “mbronte familjen e tij”.





