24-orë pas mosbindjes civile, kreu i PD dega Durrës, Luan Hoti ka bërë një reagim në rrjetin social “Instagram”.
“Një realitet i dhimbshëm dhe i papranueshëm për shqiptarët: në Shqipëri sot, krimi po komandon politikën dhe ekonominë”, shkruan në hyrje të analizës së tij Hoti.
Ndërsa nënvizon situatën kritike, në të cilën ndodhet vendi, ai thotë se “opozita qëndron e vendosur për të ndriçuar këtë realitet të errët dhe për të luftuar për një të ardhme ku Shqipëria të mos jetë peng i krimit dhe trafikut të drogës, por një vend i drejtësisë, sigurisë dhe mundësive për të gjithë!”
Postimi i plotë:
Një realitet i dhimbshëm dhe i papranueshëm për shqiptarët: në Shqipëri sot, krimi po komandon politikën dhe ekonominë!
Qeveria aktuale dhe Kryeministri Rama vazhdojnë të sfidojnë të drejtën dhe interesin publik duke u shërbyer grupeve kriminale që diktojnë, jo vetëm listën e deputetëve, por edhe trajektoren e ekonomisë tonë kombëtare.
Pavarësisht deklaratave të pambështetura
dhe propagandës që ofrohet në takime të inskenuara si ai me pensionistët, Shqipëria po përballet me një krizë të thellë besimi dhe siguri.
Porti i Durrësit është kthyer në një qendër për aktivitetet kriminale të trafikut ndërkombëtar. Përveç trafikut të drogës që kalon përmes tij, i shtohet edhe skandali i mbetjeve toksike, të cilat, përmes rrugëve të dyshimta dhe në shkelje të rregullave ndërkombëtare, dërgohen drejt Azisë Lindore.
Ky trafik jo vetëm që kërcënon sigurinë mjedisore dhe shëndetin publik, por tregon një neglizhencë dhe bashkëpunim të thellë me krimin e organizuar, duke e lënë vendin tonë në një rrezik të madh dhe duke e kthyer Shqipërinë në një pikëkalim për mbetjet e paligjshme të Europës.
Për më tepër, një tallje publike ishte dhe rritja e pensioneve – një vendim qesharak dhe aspak i mjaftueshëm për të mbuluar nevojat minimale të të moshuarve tanë.
Kjo rritje minimale nuk reflekton realitetin ekonomik dhe presionet e përditshme që
përballen pensionistët.
Qeveria kërkon të mburret me një lëmoshë të maskuar si mbështetje, ndërsa qytetarët
vazhdojnë të mbeten të varfër dhe të braktisur.
Opozita qëndron e vendosur për të ndriçuar këtë realitet të errët dhe për të luftuar për një të ardhme ku Shqipëria të mos jetë peng i krimit dhe trafikut të drogës, por një vend i drejtësisë, sigurisë dhe mundësive për të gjithë!





