Katër kufoma janë gjetur në një vilë në Kalabri, Itali. Të gjithë anëtarët e familjes, babai, nëna dhe dy fëmijët janë gjetur pa jetë.
Mendohet se ngjarja e rëndë është regjistruar në orët e vona të së dielës, por ende nuk është zbardhur dinamika e krimit nga ana e policisë. Nuk dihet ende kush ka qëlluar e më pas ka vrarë dhe veten. Tragjedia e 4-fishtë ka zënë faqet e para të shtypit italian.
Policia ka gjetur pa jetë Salvatore Giordano, 57 vjeç, gruan e tij Francesca Vilardi, 59 vjeçe dhe dy fëmijët Giovanni, 26 vjeç dhe Cristiana 31 vjeçe. Policia ka gjetur në shtëpi dy pistoleta pa leje, të cilat dyshohen se janë përdorur për të kryer tragjedinë.
Alarmi është dhënë nga vëllai i 57-vjeçarit, i cili është habitur kur Salvatore nuk është paraqitur në mëngjes në dyqanin që menaxhonin së bashku.
Kur zjarrfikësit hapën dyert e vilës u përballën me skenën e përgjakshme. Hetimet e nisura pritet të hedhin dritë më shumë mbi këtë ngjarje dhe autorin e tragjedisë së 4-fishtë.