Nga Arben Rrozhani
Drejtuesit më të lartë të PD-së u përfshinë dje drejtpërdrejt në protestën e nisur nga disa aktivistë të shoqërisë civile, që po kundërshtojnë prej javësh nismën e bashkisë së Tiranës për të ndërtuar një park lojërash për fëmijë, ku do të hidhet beton dhe do të instalohen elementë shtesë jonatyralë për ambientin e parkut më të madh të kryeqytetit.
Si në fjalën e vjetër, PD-ja është ajo partia e kriminelëve që kthehet në vendin e krimit, ose më saktë, në njërin prej mijëra vendeve të krimit që mbajnë autorësinë e saj.
Bashkia e Tiranës nuk ka pse ta hedhë atë beton në atë vend dhe duhet të gjejë alternativë më mjedisore për parqet, në harmoni me ambientin e paktë që na ka mbetur pa u betonuar.
Por ky beton që po hidhet është një kokërr rërë në betonin që na vendosi mbi kokë në të gjithë Shqipërinë, qeverisja pa kontroll territori, pa planifikim urban, duke zaptuar pronën publike dhe atë private. E cila mban si vulë më së shumti kohën kur qeverisi PD-ja, plot 13 vite të mbushura me katrahurë urbane, pushtim territori, mohim të së drejtës njerëzore dhe kushtetuese për të gëzuar pronën tënde, cenim të të drejtave të njeriut.
Parku i Liqenit Artificial është shëmbëlltyra e qartë e masakrës së PD-së mbi territorin, kafshimit të tij nga të gjitha anët, çka i ka bërë qytetarët që të jenë kaq të ndjeshëm edhe për një lopatë betoni më tepër që hidhet aty. Ai është njëri prej mijëra vendeve të krimit, i arritshëm në pak minuta nga qendra e Tiranës.
Kodrat i rrafshoi, betonoi dhe masakroi pushteti vendor i PD-së, në kohën kur i bënte karshillëk bashkisë që drejtohej nga Edi Rama, deri në 2011-n. Qindra pallate shumëkatëshe të dhëna me leje të komunës së Farkës, që zhdukën kurorën e gjelbër mbi liqenin e Tiranës, për të rrëshqitur deri buzë ujit.
Poshtë digës, një megaprojekt mafioz i ish-kryetarit të bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, për të ngritur disa kulla shumëkatëshe, projekt i kundërshtuar ashpër nga qeveria aktuale, por që ende është një gropë në zonën ku nuk lejohen ndërtime publike. Në të hyrë të parkut janë pallatet e ndërtuara gjatë mandatit 8-vjeçar të Sali Berishës si kryeministër. Aty në zemër të parkut, shumë pranë liqenit, për të bërë biznesin me trojet e ndërtimit. Ngjitur me të ishte dhënë leja për ndërtime masive pallatesh në territorin ku ende është Garda e Republikës, një vendim skandaloz i ALUIZNI-t Tiranë, për pretendentë që shkojnë deri te familja e Sali Berishës. Ky vend krimi nuk zhbëhet më dhe do të jetë aty si dëshmi e masakrës ndërtimore, para të cilës s’do kishte fytyrë askush të fliste për beton, pemë dhe parqe.
Personazhet në vendin e krimit janë të njohur, sepse janë ata që kanë qenë protagonistët e monstruozitetit ndërtimor dhe urbanistik në vend. Një biznesmen, ish-deputet i PD-së, prej më se një dekade pronar i guroreve, gropave të gëlqeres që shuhej në Krujë, duke helmuar edhe Tiranën me blozën e zezë. Deputetë aktualë të PD-së që ishin ministra në kohën e qeverisjeve të Berishës dhe që kanë vënë vulë dhe firmë për të syrgjynosur ambientin dhe për të bërë biznesin shumëmilionësh të ndërtimit.
Urrejtja e djeshme e tyre dhe e dirigjentit në prapaskenë, te një kullë e xhamtë pak kilometra më tutje, tregon më së miri se sa pak është bërë në këto dy vite e gjysmë qeverisje për të mbjellë pemën e besimit dhe të drejtësisë, se si nuk është prekur fare pandëshkueshmëria e atyre që bënë krime në vend. Dje ata dolën hapur, me armë, me grushte dhe sharje. Nesër mund t’ia vënë flakën edhe qeverisë, siç kanë treguar se dinë të bëjnë më së miri, kur s’kanë kauzë tjetër, veç marrjes me çdo kusht të pushtetit. Dhe mirë bëjnë në një vend, kur krimineli kapet në vendin e krimit dhe lihet i lirë.
Marrë nga "Shekulli"





