Jordan Belfort u shpreh se “çmenduria” e kriptomonedhave do të shfaqë efektet negative shumë shpejt.

Jordan Belfort, ish-brokeri i përjetësuar në filmin “Ujku i Wall Street”, ka deklaruar se “lajthitja” aktuale në ICO (Initial Coin Offerings) është skema më e madhe e mashtrimit.

Paralajmërimi vjen pasi ICOs, të cilat mbledhin fonde online duke iu shitur investitorëve kode dixhitale në këmbim të kriptomonedhave si bitcoin dhe ethereum, janë bërë tepër popullore. Deri më tani, brenda këtij viti, 202 ICOs kanë grumbulluar 3 miliardë dollarë, sipas coinschedule.com, kryesisht për sipërmarrjet që premtojnë të përmirësojnë praktikat e tregtimit dhe të investimit në monedhat dixhitale.

Por tregu ka tërhequr vëmendje nga rregullatorët, të cilët janë të shqetësuar se investitorët e vegjël po mashtrohen me premtimin e kthimeve të mëdha. Muajin e kaluar Banka Qendrore Kineze mbylli një prej kompanive të këmbimit të kriptomonedhave, duke argumentuar se ka prishur rregullat ekonomike dhe financiare, ndërsa rregullatorët në Mbretërinë e Bashkuar kanë paralajmëruar investitorët që të jenë të përgatitur që vlera e investimit të tyre mund të shkojë në zero.

Belfort, i cili kaloi 22 muaj në burg pasi u shpall fajtor për pastrim parash, krahasoi situatën aktuale me fenomenin e “Blind Pools” në vitet ’70-’80, kur mblidheshin fonde pa u specifikuar investitorëve se si do të shpenzoheshin paratë e tyre. Shumë prej tyre u shpërbënë pa asnjë investim.

Promovuesit e fondeve të investimit në kriptomonedha po prezantojnë një nga skemat më të mëdha të mashtrimit, – tha ai. Me shumë gjasa 85 për qind e personave që marrin pjesë në këto skema nuk kanë qëllime të këqija, por problemi është se, nëse 5 apo 10 për qind po përpiqen që të ngrenë skema mashtrimi, kjo do të rezultojë katastrofë.

Por zoti Belfort, i cili u soll si personazh në ekran nga Leonardo Di Caprio në një film të vitit 2013, tha se teknikat e përdorura nga shitësit e ICO-ve kanë të bëjnë me: mbledhjen e fondeve, promovimi në mënyrë agresive në treg, nxitjen interesit – madje duke përdorur dhe njerëz të famshëm. Prandaj ai rekomandon që t’i shisni kriptomonedhat përpara se t’iu bjerë çmimi.

/FINANCIAL TIMES/

Foto: Jordan Belfort

Marrë nga 'Monitor'