Mbrëmjen e së shtunës, pas mesnate, besimtarët ortodoksë u mblodhën në Katedralen e Apostul Pavlit dhe Shën Astit në Durrës për të kremtuar një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit fetar, Pashkët, festën e Ringjalljes së Krishtit.
Ceremonia e shenjtë u zhvillua në një atmosferë solemniteti dhe besimi të thellë, ku drita e qirinjve të ndezur simbolizonte triumfin e jetës mbi vdekjen dhe ringjalljen e shpresës për mbarë njerëzimin.
Me thirrjen e fuqishme “Krishti u ringjall, Vërtet u ringjall!”, besimtarët përshëndetën njëri-tjetrin dhe festuan këtë moment të madh shpirtëror që mbart mesazhin e dashurisë, faljes dhe shpresës.
Kremtimi i Pashkëve në këtë katedrale të rëndësishme të qytetit të Durrësit mblodhi dhjetëra besimtarë, të cilët morën pjesë në meshën tradicionale dhe në ndarjen e dritës së shenjtë.
Ndërkohë në mesditë, besimtarët katolikë u mblodhën në kishën katolike “Shën Domenikut” në Durrës për të festuar ringjalljen e Krishtit, me mesazhe shprese, dashurie dhe bashkimi.
Një ditë e veçantë që i bashkon të gjithë në frymën e besimit dhe solidaritetit.