Besimtarët e krishterë në mbarë vendin dhe gjithë botën festojnë sot lindjen e Jezu Krishtit.

Në Durrës, të shumtë kanë qenë besimtarët katolikë dhe ortodoksë që u janë drejtuar objekteve të kultit për të marrë pjesë në shërbesat fetare të organizuara me këtë rast dhe për t’i drejtuar lutje zotit për më shumë mbarësi në familjet e tyre.

Mbrëmjen e djeshme është mbajtur mesha e Krishtlindjes, e cila u drejtua në kishën e Shën Domenikut nga vikari i përgjithshëm iKishёs dioqezane Tiranё-Durrёs, Bernard Caruana.

Në meshën kushtuar lindjes së Krishtit merrnin pjesë besimtarë të të gjitha moshave, të cilët luten për të qenë sa më pranë Zotit të tyre në këtë datë të shënuar për kalendarin e besimit katolik.

Ndërsa sot besimtarët ortodoksë morën pjesë në meshën e mbajtur në Kishën Ortodokse “Apostull Pavli dhe Shën Asti”, Durrës.

Qytetarët luten për më shumë paqe dhe mirësi mes njerëzve, ndërsa në përfundim të meshës nuk kanë munguar urimet për njeri-tjetrin.

Krishtlindja është festa e dytë më e rëndësishme në kalendarin e besimtarëve katolikë dhe ortodoksë, pas Pashkës.

Sipas besimit ortodoks dhe katolik, në këtë ditë ka ardhur në jetë nga virgjerësha Mari, shpëtimtari Jezu Krishti, biri i Perëndisë.