Kryetari i Partisë Socialiste ka uruar nga Korça të gjithë shqiptarët me rastin e Krishtlindjeve.
Ndërsa ka vizituar selinë e klerit ortodoks në Korçë, kryesocialisti Rama theksoi se është e nevojshme një rilindje për të gjithë shqiptarët.
“Uroj të gjithë shqiptarët që ditët që do të vijnë të jenë ditët e plotësimit të ëndrrave të tyre. Ne besojmë në një rilindje dhe të fjithë e dini që kjo është e domosdoshme për të gjitha shtresat dhe për të gjitha moshat si për të moshuarit ashtu edhe për të rinjtë” theksoi Rama.
Kryesocialisti Rama ka zhvilluar më pas një vizitë edhe në komunitetin katolik të Korçës ku thekson se ka gjetur një atmosferë shumë mikpritëse.
Edhe kreu i FRD-së Bamir Topi ka qënë i pranishëm sot në Korçë. Ai ka zhvilluar një vizitë në Metropolinë e Korçës, ku është pritur nga hirësia e tij, imzot Johani ndërsa ka uruar të gjithë shqiptarët për Krishtlindjet.
“Krishtlindja nuk festohet vetëm në Tiranë dhe Korça është vendi më i mirë për këtë ditë. Qoftë e bekuar kjo ditë për të gjithë shqiptarët” ka theksuar Topi.