Tiranë, 19 gusht 2014 – Universiteti “Kristal” ka diplomuar për stomatologji një shtetas italian i cili ka qëndruar në Shqipëri vetëm 10 ditë. Kjo shkelje e cila është dërguar në Prokurori u prezantua sot nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Plarent Ndreca.
Në raportin e MAS për Institucionin e Arsimit të Lartë Privat “Kristal” është evidentuar rasti i shtetasit italian Vincenco Nespola.
Nëpërmjet një note verbale që ambasada italiane i ka dërguar Prokurorisë thuhet se këtij shtetasi i është lëshuar diploma nga universitetit “Kristal” më 20 korrik 2011.
Ndreca thotë se ky rast i cili është paditur në Prokurori nga ambasada italiane do të dërgohet edhe nga ministria në Prokurori për hetime të mëtejshme.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





