Nga BUJAR QESJA
Ka njerëz që vijnë në jetë për të bërë zhurmë, ka njerëz që vijnë për të bërë emër, e ka njerëz që thjesht vijnë për të bërë punë. Kristaq Prifti është i treti. Ndoshta edhe i katërti, sepse puna e tij është njëkohësisht zhurmë e heshtur, emër që i paraprin, dhe gjurmë që nuk i zhduk as koha, as harresa.
Durrësi, qyteti i kripës, i diellit dhe i stuhive që ndërrojnë ritmin e ditëve, është vendi ku Kristaq Prifti u formua si karakter, si mendje, si njeri publik. Është vendi ku ai mësoi se puna nuk bëhet për t’u dukur, por për të qëndruar dhe se fjala ka peshë vetëm atëherë, kur e mban premtimin e saj deri në fund.
Të ecësh sot me Kristaq Priftin nëpër rrugët e qytetit, është një përjetim më vete. Njerëzit e përshëndesin, të tjerët e kujtojnë nga vitet e vështira të sistemit të kaluar, të rinjtë e vështrojnë me kureshtje, ndërsa qytetarët e vjetër shtrëngojnë dorën e tij me respekt të heshtur, si ritual të pashkruar mirënjohjeje.
Kjo ndodh sepse ai nuk ka qenë thjesht funksionar i kohës, por njeri që ka ditur të mbajë përgjegjësi, të udhëheqë pa u shkëputur nga njeriu i thjeshtë, të ruajë dinjitetin edhe në kohë të ndryshme edhe në sisteme që ndryshuan si dallgët e Adriatikut.
74 vitet nuk mjaftojnë për ta ndalur
Në një moshë kur shumëkush dëshiron qetësinë, rrugëtimet e ngadalta dhe pasditet e heshtura, Kristaq Prifti ka zgjedhur të kundërtën, punon më shumë se kurrë.
Aktiv në profesion, aktiv në komunitet, aktiv në jetën qytetare, është ajo figurë e rrallë që nuk e njeh konceptin e lodhjes. Për të, mosha është thjesht një numër, ndërsa energjia vjen nga brenda, nga vullneti, nga edukata e brezit që u mësua të ngrihej herët, të punonte fort, të mos justifikohej me rrethana, të mos dilte nga radha e përgjegjësisë.
Tani qoftë në takimet profesionale, qoftë në tryeza mendimtarësh, qoftë në dialogun me njerëzit e qytetit, është gjithmonë i pranishëm, i qetë, i matur, me gjuhën e njeriut që argumenton dhe jo që sulmon. Nuk rresht së punuari, sepse nuk di të jetojë ndryshe. Ka mësuar që njeriu vlen aq sa angazhohet.
Inxhinieri që ndërtoi jo vetëm mekanika, por edhe ura shpirtërore
Formimi i Kristaq Priftit si inxhinier mekanik është baza e një mënyre mendimi të kthjellët e precize. Çdo problem ka zgjidhje, çdo proces ka logjikë, çdo rrugë ka drejtim. Aftësinë teknike e shoqëroi me disiplinën e punës së hekurt, të cilën e ushtroi edhe në detyrat publike edhe në punësimet e tjera profesionale që ndërtoi pas viteve ’90-të.
Në Durrës, ku hekurudha dhe industria ishin gjuha e përditshme e qytetit, Kristaq Prifti ishte një nga ata njerëz që dinte të “fliste” me makineritë, por edhe me njerëzit. Dhe nuk është rastësi që shumë syresh e kujtojnë si njeriun e drejtë, të matur, që nuk humbiste durimin dhe që dinte të dëgjonte. Mekanika mund të jetë shkencë, por menaxhimi i njerëzve është art dhe ai i zotëronte të dyja.
Sekretari që nuk u nda asnjëherë nga njeriu i thjeshtë
Në vitet 1981–1988, kur ai mbajti detyrën e sekretarit të Komitetit të Partisë në Pukë, Kristaq Prifti ishte figurë i një sistemi që sot shihet në mëdyshje. Ishte koha e Enver Hoxhës, koha e represioneve, e frikës, e mungesës së fjalës së lirë.
Por historia e ndershme e një njeriu nuk identifikohet verbërisht me kohën, por vlerësohet me mënyrën se si sillej me njerëzit dhe sa human mbeti në një sistem që shpesh i kërkonte të kundërtën.
Në Pukë, Prifti njihet ende si njeriu që nuk e humbi humanizmin.
Varfëria e zonës, vështirësitë e popullatës, sfidat e komunitetit malor nuk e gjetën Kristaq Priftin në distancë, por brenda tyre. Shumë familje e kujtojnë ende si njeriun që i dëgjoi, i ndihmoi, ndërhyri, zgjidhi, qetësoi. Ishte pjesë e sistemit, por nuk ishte njeri i dhunës. Ishte udhëheqës, por nuk ishte i frikshëm. Ishte funksionar, por mbeti njeri.
Dhe kjo është arsyeja pse sot, dekada më vonë, kujtohet me respekt të sinqertë dhe jo me frikë të heshtur.
Rrënjë e Durrësit
Durrësit i pëlqejnë njerëzit që punojnë dhe Kristaq Prifti është një prej tyre. Është personazh që nuk e kërkoi kurrë lavdinë, por ajo erdhi natyrshëm. Qyteti e njeh, e respekton, e përmend si një profil që dha ndihmesë të madhe qytetare, shoqërore dhe profesionale dhe që përfaqëson brez të rrallë durrsakësh, të arsimuar, të disiplinuar, të sjellshëm, të vendosur.
Lidhja e tij me qytetin është e fortë, me portin, me shëtitoren, me lagjet e vjetra, me njerëzit e punës, me intelektualët, me profesionistët. I njeh dhe e njohin.
Nuk është thjesht emër, por edhe referencë. Mbetet jo thjeshtë historia e një njeriu, por edhe pjesë e historisë së qytetit.
Forca psikologjike që nuk e lë të plaket
Tek Kristaq Prifti bie në sy një tjetër dimension, forca mendore dhe psikologjike. Është njeri i fjalës së peshuar, i analizës, i mendimit që ndërtohet ngadalë dhe shprehet me vendosmëri. Nuk e ka humbur kurrë qetësinë dhe besimin te njeriu. Nuk është mbyllur në hije, as kur jeta ndryshoi ritëm, as kur sistemi u shemb, as kur tranzicioni mori me vete shumë të tjerë.
U përshtat pa u thyer. U transformua pa u humbur. Vazhdoi pa u larguar nga identiteti i tij.
Jetë që meriton të rrëfehet
Kristaq Prifti nuk është thjeshtë figurë e së kaluarës, por edhe njeri i së tashmes, aktiv, angazhues, i dobishëm, i pranishëm. Në moshën 74-vjeçare punon, mendon, udhëzon, flet me njerëzit, jep mendime, jep zgjidhje, jep shembullin e njeriut që nuk ulet, nuk rri, nuk ndalet.
Historia e tij është historia e qytetarit model, e profesionistit të vërtetë, e intelektualit të ndershëm. Dhe më shumë se kaq, është historia e njeriut, që pavarësisht dallgëve, ka ditur të mos ndryshojë staturë. Gjithnjë i qetë, njerëzor, punëtor, i besës.
Ky është Kristaq Prifti. Njeri që i rri bukur jetës. Emër që i rri bukur Durrësit.





