Shqipëria ka fituar dje dy medalje bronzi në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që po mbahet në Kishinau të Moldavisë. Këto rezultate mbajnë firmën dhe vulën e Kristi Ramadanit, i cili ngjiti dy herë flamurin kuqezi në podiumin e aktivitetit më të rëndësishëm të kontinentit në sportin e peshëngritjes. Paraqitje shumë e mirë edhe nga Erkand Qerimaj, i cili vijon prej më shumë se dy dekadash të nderojë flamurin, duke sfiduar edhe moshën. Shkodrani shënoi një vend të katërt dhe pestë, për t’u konfirmuar në top-5 e Europës.
Kristi Ramadani konkurroi në Baterinë A të peshave 81 kg. Ai e filloi duke kaluar me sukses provën e parë në stilin e shkëputjes me 151 kg, por dështoi me 156 kg në dy provat e tjera, për ta mbyllur shkëputjen në vendin e shtatë. Gara nuk vijoi në mënyrën më të mirë për sportistin e Tiranës, i cili dështoi edhe dy provat e para në shtytje, përkatësisht me 185 dhe 186 kg, por ia doli në tentativën e tretë me 186 kg, rezultat që i dha medaljen e bronzit.
Ndërkohë, me 337 kg gjithsej, Ramadani meritoi edhe një tjetër medalje në dygarësh, duke mbyllur një Europian me rezultate të rëndësishme. Kujtojmë që një vit më parë, Ramadani ka fituar dy medalje argjendi. Ndërkohë, po në kategorinë e peshave 81 kg, konkurroi edhe Erkand Qerimaj. Shkodrani, si një “ujk i vjetër” i shtagës, e nisi nga Bateria B.
Qerimaj kaloi provën e parë në shkëputje me 150 kg, për të dështuar dy herë me 154 kg, duke e mbyllur në vend të tetë. Më tej, në shtytje 36-vjeçari kaloi me sukses 183 kg, ndërsa nuk ia doli në dy prova me 186, duke u klasifikuar i pesti. Me 333 kg në total, Qerimaj shënoi vendin e katërt në dygarësh.
Kujtojmë se më herët për Shqipërinë kishte garuar edhe Arbëri Çerçizi, të mërkurën në peshat 73 kg. Çerçizi spikati me vendin e katërt në shkëputje me 145 kg, në shtytje u rendit i shtati me 171 kg, ndërsa në dygarësh i pesti me 316 kg. Për sa i përket Briken Caljes, ai nuk u fut në konkurrim në peshat 73 kg, duke bërë të ditur se kishte probleme fizike.