Kristina është mbretëresha e bukurisë për vitin 2016.
20-vjeçarja e cila prej vitesh jeton në Greqi ka rrëmbyer kurorën e “Miss Shqipërisë”. Në intervistën për “Summer Pages”, ajo risjell edhe njëherë emocionet e asaj nate, ku deri në momentin e fundit nuk e ka besuar se do të ishte ajo fituesja. Megjithatë, ai që e ka besuar gjithnjë ka qenë i dashuri i saj grek, që ashtu si ajo thotë, ka qarë natën kur ajo mori kurorën. Më tej ajo tregon edhe paragjykimet e shumta që ka ndeshur në Greqi, për shkak të origjinës së saj shqiptare. E tashmë që ka fituar këtë trofe kaq të rëndësishëm, Kristina synon botën e televizionit, edhe pse aktualisht është fokusuar te “Miss Globe”, si një mundësi tjetër për të përfaqësuar denjësisht Shqipërinë…
Si u ndjetë teksa vutë kurorën e “Miss Shqipërisë” në kokë, çfarë emocionesh kishit?
Të them të drejtën jam shumë e lumtur që erdha deri këtu. Kam bërë shumë sakrifica për të qenë te “Miss Shqipëria”. Kam vetëm tri javë që kam ardhur në Shqipëri dhe më është dashur të heq dorë nga shumë gjera për t’u bërë pjesë e këtij kompeticioni. Më vjen mirë që gjithçka m’u shpërblye me këtë kurorë. Nuk e prisja të isha unë fituesja e këtij spektakli, ndaj dhe kur u tha numri, s’po më besohej. Mendoja se do të ishte një vajzë tjetër ajo që do ta fitonte. Ishte një emocion i madh, nuk di se si ta përshkruaj.
A patë vajza të tjera që u xhelozuan për ju, teksa morët kurorën e ‘miss’-it?
Jo, nuk pashë asgjë të tillë. Vajzat përgjatë gjithë këtyre ditëve kanë qenë të mrekullueshme dhe kemi krijuar raporte shumë të mira. Më uruan, dhe unë e di që urimet e tyre kanë qenë të sinqerta. Në fund të fundit, kjo ishte një garë që vetëm njëra do ta fitonte. Edhe pas garës po kalojmë shumë mirë me vajzat. Jemi bërë shoqe tashmë.
Në tërësi, a e ke ndjerë xhelozinë e femrave ndaj jush, si një femër e bukur që jeni?
Edhe më ka ndodhur të ndeshem me xhelozinë e femrave. Nuk di ç’të them rreth kësaj, po besoj se jam mësuar edhe me këtë pjesë. Ndërsa unë nuk jam e tillë, përkundrazi, nëse shikoj një femër të bukur, më vjen mirë. Në fund të fundit, kush nuk e pëlqen të bukurën!
Mendoni se konkurrentet e tjera kanë menduar se një vajzë vjen nga Greqia dhe merr kurorën e më të bukurës?
Në Shqipëri ka shumë femra të bukura. Edhe pse prej vitesh jetoj jashtë, mbetem shqiptare. Në fakt, kurorën e ‘miss’-it e ka marrë një shqiptare; nuk besoj se ka vend për të thënë diçka të tillë.





