Intervista me profesoreshën Maria Adriana Giusti
Historia e veçantë e arkitektit Kristo Sotiri ka zgjuar interesin tonë, kështu kemi intervistuar profesoreshën Maria Adriana Giusti, autore e librit “Albania: architettura e città 1925-1943” (Firenze, 2006) dhe e konsideruar si autoriteti më i lartë në fushën e arkitekturës shqiptare në periudhën midis dy luftrave botërore.
Dy javë më parë, në faqet e kësaj gazete u botua një artikull dedikuar jetës dhe veprës së arkitektit Kristo Sotiri. Burimi kryesor i informacionit mbi historinëe arkitektit shqiptar është një monografi e publikuar në Tiranë në 2004, “Arkitekt Kristo Sotiri” i Koço Mihos. Si ekspertja më e madhe për arkitekturën fashiste në Shqipëri, ju ka qëlluar të hasni këtë vëllim, që përmend ndërtime dhe projekte të ndryshme të realizuara nga arkitekt Sotiri në vitet Njëzet dhe Tridhjetë?
Sigurisht, e njoh shumë mirë vëllimin që më është dhuruar nga i biri i arkitekt Sotirit, me të cilin kam patur shumë shkëmbime idesh dhe informacionesh. Madje më ka dhuruar një seri që e kam shpërndarë në disa biblioteka italiane. Kopja ime është me një dedikim special. Qe ai që më kërkoi dhe e takova gjatë një prej shumë qëndrimeve të mia në Tiranë.
Në faqet e librit të Mihos janë botuar foto të projekteve që Sotiri i kishte përpunuar për ndërtesën e Bashkisë së Durrësit, për Bashkinë e Tiranës dhe për stacionin e trenit të kryeqytetit. Përse këto projekte nuk qenë konkretizuar kurrë? Përse, qoftë realizimi i Bashkisë së Durrësit qoftë ai i Bashkisë së Tiranës i qenë besuar arkitektëve të tjerë?
Në aktet e arkivave – dhe jo vetëm të atyre shqiptare – rezultojnë shumë projekte paraprake të arkitektëve italianë dhe shqiptarë që nuk janë ndjekur. Motivi i mos realizimit të këtyre projekteve duhet kërkuar në zgjedhjet themelore politiko-kulturore të epokës. Nga këto del vullneti për të menaxhuar një proçes organik dhe të përbashkët për ndërtimin e qyteteve dhe të territorit shqiptar në tërësi. Projektet duhet të përputheshin me këtë logjikë, duke zhvilluar një plan koherent me shkallë të ndryshme: urbane, peisazhistike, arkitektonike. Propozimet e arkitektëve dhe inxhinierëve për ndërtime të izoluara nuk ishin me cilësi të lartë: disa ishin vepra tepër akademike, disa të tjera ishin frymëzuar nga stili “eklektik” (në atë kohë jashtë mode) ose nga mbijetesa e stilit “liberty” ose ishin tentativa moderniste të druajtura.
Megjithatë, përveç cilësisë së çdo projekti, këto nuk mund të gjenin konkretizim në një kontekst politiko-kulturor në të cilin mbizotëronte kërkimi i një shenje të fortë në imazhin e ri urban, në vazhdimësi edhe me tendencat urbanistike ndërkombëtare të kohës. Sesa i qartë ishte ky plan, që i jepte kontekstit urban aftësi për të koordinuar ndërtesat e veçanta, e tregoi aktiviteti i Zyrës Qendrore të Arkitekturës dhe Urbanistikës, hapur në 1938 (që, de facto, vepronte që nga fundi i viteve '20) dhe koherenca e zgjedhjeve që çuan në pallate me frymëmarrje më të gjerë dhe vlera “monumentale”.
Tre projektet e sipërpërmendura vizatonin ndërtime në stilin “liberty” dhe, të paktën në sytë e njerëzve jo të specializuar, duken shumë të këndshme dhe padyshim më shumë tërheqëse sesa linjat e rrepta që karakterizojnë arkitekturën racionaliste. Sa ka ndikuar antipatia e racionalistëve ndaj stilit “liberty” në djegien apo në jo realizimin e projekteve të Kristo Sotirit?
Projektet e Sotirit janë shprehje të nostalgjive akademike, nuk komunikojnë një kërkim origjinal në një periudhë në të cilën, në nivel ndërkombëtar, kërkohej të ndërtohej një rrugë novatore drejt modernitetit. Janë projekte sigurisht të këndshme dhe të përshtatshme për klasën borgjeze, zakonisht në kundërshtim me ndryshimet. Këto projekte frymëzohen nga modele të stileve “liberty” dhe “eklektik” (me vonesë, nëse mendohet se këto stile kishin perënduar në Europë pikërisht në vitet e para të shekullit XX). Një nga veprat e Sotirit, vila mbretërore në Shirokë, tregon përputhje të fortë me kriteret e arkitekturës së Rinascimento-s italian, sidomos në harmonizimin e ndërtesës me oborrin (një aspekt akoma pak i studiuar nga kritika shqiptare). Dhe është interesante të nënvizojmë se “historizmi” (referimi në stilet arkitektonike të së shkuarës) u kthye në Shqipëri në vitet '40-'50, në disa ndërtesa publike të vendosura në zonën monumentale të Tiranës.
Duke u rikthyer tel Sotiri, do të doja të kujtoja se formimi i tij si inxhinier u rafinua në Akademinë e Arteve të Bukura në Venecia, duke e çuar profesionin e tij në rrugën e restaurimit dhe aspekteve dekorative të arkitekturës. Përkundrazi, arkitektura e asaj periudhe duhej të merrte bukurinë e saj nga “efekti i thyerjes” së hapësirës urbane, domethënë: linja të vazhdueshme, monumentalizimi i hapësirës, ekuilibër gjeometrik mes përmasave të rrugëve dhe të ndërtesave, mes volumeve të ndërtuara dhe volumeve të gjelbërta, etj. Edhe Sotiri arriti në stilin e modernitetit me projektet shqiptare – që unë i konsideroj më cilësoret e aktivitetit të tij – për ndërtime në Durrës dhe për vilën e Princeshave në Tiranë, në të cilat vihet re kërkimi hapësinor i rreptë, nëpërmjet organizimit të volumeve totalisht pa elementë dekorativë.
Dy fjalë në veçanti meriton pallati mbretëror në Durrës. Besoj se është e domosdoshme të sqarohet – siç thekson Koço Miho – që vila aktuale nuk është vepër e Sotirit, por se arkitekti shqiptar kishte realizuar një ndërtesë të mëparshme në vitin 1926, pastaj e shkatërruar. Ishte një kështjellë në stilin “liberty”, pra një model diametralisht i kundërt me ndërtesën aktuale. Çfarë ka ndodhur?
Kam botuar projektet e Florestano di Faustopër rindërtimin e vilës së Durrësit dhe projektet e shumta të transformimeve, të nënshkruara nga Gherardo Bosio në fund të viteve ’30 të shekullit XX. Fotot e epokës të ruajtura në arkivin e Monumenteve të Tiranës tregojnë një kantjer në ndërtim në gjysmën e viteve ’20, me probleme të konsolidimit strukturor. Supozohet se ishte ndërhyrë me përforcime të terrenit për të mënjanuar rrëshqitjet e dheut që kishin çuar në rënien dhe shkatërrimin e vilës. Projekti i realizuar korrespondon me atë të Florestano di Fausto, aktiv në Shqipëri në mes të viteve 1926 dhe 1933.
Më vonë, kur pallati i “mbretit Zog” u bë pallat i mëkëmbësit fashist, ndërhyri Gherardo Bosio, autor i projekteve shqiptare më të rëndësishëm për kohën. Atij i atribuohen sistemimet e ambjenteve të brendshme dhe mobilimi, të vulosura me një ashpërsi moderniste, që kundërshtojnë kthimin në eklektizmit në projektin e Di Fausto. Ndryshime të tilla janë domethënëse, sepse i korrespondojnë jo vetëm tipeve të ndryshme të porositësve, por edhe dy fazave të ndryshme të hulumtimit gjuhësor të arkitekturës: nga “nostalgjia për eklektizmin” e viteve '20 tek mënyra racionale drejt modernizmit në mesin e viteve '30 dhe '40. Aktiviteti i Sotirit e shpreh plotësisht këtë proçes që e çoi atë për të konkurruar me një klimë kulturore me frymëmarrje ndërkombëtare.
Nga faqet e librit të Koço Mihos nuk tregohet qartë arsyeja e shkatërrimit të kështjellës “liberty” realizuar nga Sotiri. Megjithatë, vëllimi sjell dy artikuj të gazetave shqiptare të 1926-s, respektivisht të datave 4 korrik dhe 28 shtator, në të cilët përmendet ndërtimi i vilës presidenciale të Durrësit si vepër e Sotirit. Më 17 dhjetor të të njëjtit vit 1926 Durrësi qe praktikisht rrafshuar me tokën nga një tërmet i tmerrshëm. Është e mundur që prishja e ndërtesës erdhi si rezultat i sizmës apo si pasojë e dëmeve të ardhura prej saj? Apo italianët kishin vendosur më parë të zëvendësonin kështjellën neo-gotike të Sotirit me një vepër të re racionaste?
Besoj se i jam përgjigjur më lart. Tentativat për konsolidimin e vilës u bënë ndoshta për shkak të tërmetit. Nuk besoj se ka patur arsye të tjera. Zgjedhjet më racionaliste të arkitekturës afirmohen në dhjetëvjeçarin e ardhshëm, në gjysmën e viteve ’30.
Një dorëshkrim në zotërim të familjes Sotiri duket se tregon që arkitekti ka punuar edhe në Itali dhe ka marrë pjesë, me projektet e tij, në konkurset për realizimin e disa pallateve në Venezia dhe në Genova. Mund t’i shpjegojmë lexuesve tanë se çfarë është një konkurs arkitektonik dhe, sidomos, të sqarojmë nëse ekzistojnë apo jo prova konkrete të punës së Sotirit në dy qytetet italiane?
Një konkurs arkitekture është një konkurim në të cilin marrin pjesë shumë arkitektë me propozime të ndryshme. Një komision ekspertësh zgjedh ato që konsiderohen më të mirët sipas kritereve të ndryshme të fizibilitetit dhe estetikës, sot mund të thuhet “qëndrueshmëri”. Kam kontrolluar në arkivat italiane, sidomos të Genova-s dhe të Venezia-s, por nuk kam gjetur gjurmë të projekteve të firmosura nga Sotiri. Ndoshta punonte si bashkëpunëtor i arkitektëve të autorizuar për të firmosur. Ende duhet hetuar. Kërkimi vazhdon. Kam në projekt një tezë diplome të një studente të mirë shqiptare që vazhdon Politeknikun e Torinos…
Në dorëshkrimin në fjalë, titulli është me shkronja të mëdha REVISTA ARCHITETTURA ITALIANA. Autori i librit, Koço Miho, na informon se kjo periodike publikohej në Torino. Do të ishte e mundur të bëheshin hetime të arkivit, duke konsultuar numrat e revistës në kërkim të ndonjë gjurme të Sotirit?
Siç ju thashë janë bërë shumë kërkime. Përsa i takon aktivitetit në Itali, mund të shtoj edhe ndonjë koment. Nga kërkimet që ia besova një kolege veneciane, Sotiri rezulton aktiv në Venezia në kantjerin e restaurimit të kishës së Santa Maria della Salute. Për më tepër rezulton se i ka kërkuar ark.Massimiliano Ongaro, drejtor i Zyrës Rajonale, një “çertifikatë shërbimi si asistent në punimet e kishës së Santa Maria della Salute” (27.06.1906). Çertifikata e lëshuar atij ka firmën e drejtorit të punimeve, arkitekti Domenico Rupolo. Dhe me këtë profesionist duket se Sotiri ka patur kontakte, kur ka kryer karrierën e tij në Venezia.
Është vetë Rupolo që firmos një seri projektesh vilash dhe hotelesh në Lido di Venezia. Pra nuk është për t’u përjashtuar fakti se këto projekte janë pikërisht vepër e Sotirit, bashkëpunëtori i Inspektorit të Zyrës Rajonale, ndoshta më shumë karrierist. Besoj se misteri i Sotirit fshihet pikërisht në çështjet e roleve dhe të marrëdhënieve midis profesionistëve. Ajo që dua të nënvizoj si të re (edhe pse të dhënat e arkivave janë të pakta) është angazhimi i Sotirit në sektorin e restaurimit, si arkitektonik edhe dekorativ. Dhe është pikërisht nga njohuritë e drejtpërdrejta të historisë dhe të monumenteve që arkitekti ka zhvilluar gjuhën e historicizmit, por që i përmbahen kërkesave të racionalizmit dhe të international style, siç tregon edhe projekti për vilën e Princeshave në Tiranë.
Duke ndryshuar temën, kemi një pyetje shumë aktuale, që e ka për zemër çdo qytetar i Durrësit. Në 2008 u organizua një konkurs ndërkombëtar për rikualifikimin e Sheshit Liria, i fituar në 2009 nga arkitekti i Romës Michele Cro. Një pjesë e madhe e qytetarisë nuk e ka kuptuar nevojën për rikualifikimin e sheshit – kur ka shumë urgjenca të tjera – dhe për më tepër projekti i Cro, “Folding”, parashikon heqjen e shatërvanit të vendosur përballë ndërtesës së Bashkisë. Meqë shatërvani është një prej simboleve më të dashur për durrsakët dhe përfaqëson një vend historik takimi, mund të na tregoni historinë e këtij monumenti dhe të shprehni opinionin tuaj për heqjen në të ardhmen të kësaj embleme urbane?
Do të duhej të vlerësoja projektin në tërësinë e tij. Rikualifikimi i sheshit ka një efekt mediatik, komunikues. Hapësira publike mund të kontribuojë në dhënien e një imazhi të ri qytetit, një përfitim të shpejtë në planin politik, por edhe një shtim të vlerës për tregun imobiliar, duke rritur cilësinë e kontekstit të ndërtesave që e rrethojnë. Por ky imazh i ri, që ka si qëllim daljen nga degradimi të qytetit, mund të arrihet duke ruajtur shatërvanin që, përsa më kujtohet, është shumë interesant. Madje, do të thoja se është e nevojshme dhe urgjente mbrojtja nga shkatërrimi.
Arkitektja Maria Adriana Giusti është profesoreshë e përhershme e Restaurimit në Fakultetin e Arkitekturës II pranë Politeknikut të Torinos. Nga 2003 ka kryer aktivitete kërkimesh në Shqipëri, duke marrë pjesë në Iniciativat shkencore të Ambasadës Italiane (Tiranë 2006-2007-2008); ka ideuar dhe drejtuar “Projektin-pilot” për restaurimin e qendrës historike të Shkodrës (2004-2005); dhe ka organizuar ekspozitën dhe botime mbi temën “Arkitektura italiane në Shqipëri”, në “Pranitë italiane në Shqipëri në gjysmën e parë të shek. XX” (Tiranë, 2004). Është përgjegjëse e projektit bilateral “Vlerësimi i arkitekturës së shekullit XX në Shqipëri në perspektivat e reja të zhvillimit urbanistik: nga projektet e arkivit të ndërtimeve në territor”.