Presidenti francez, Emmanuel Macron tha të enjten se do të ishte jorealiste të niste një operacion ushtarak për Ngushticën e Hormuzit, pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump i sfidoi aleatët të punonin për rihapjen e saj.
“Disa njerëz mbrojnë idenë e çlirimit të Ngushticës së Hormuzit me forcë nëpërmjet një operacioni ushtarak, një qëndrim i shprehur ndonjëherë nga Shtetet e Bashkuara, megjithëse ka ndryshuar”, tha presidenti francez për gazetarët gjatë një udhëtimi për në Korenë e Jugut.
Sipas tij, një gjë e tillë do t’i ekspozonte të gjithë me rrezik të mëtejshëm.
“Ky nuk ka qenë kurrë opsioni që ne e kemi mbështetur sepse është jorealist. Do të zgjaste një kohë të gjatë dhe do t’i ekspozonte të gjithë ata që kalojnë nëpër ngushticë ndaj rreziqeve nga rojet e revolucionit, por edhe nga raketat balistike”, shtoi Macron.
Një ditë më parë, Donald Trump sulmoi NATO-n duke e cilësuar si një tigër prej letre dhe se SHBA mund të tërhiqet nga aleanca, ndërsa përmendi faktin se aleatët nuk e ndihmuan në luftën kundër Iranit.





