Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried ka folur për kritikat e bëra së fundi ndaj ambasadores së SHBA në vendin tonë, Yuri Kim.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Donfried shprehet se Shqipëria është me fat që ka një përfaqësuese të SHBA-së si ambasadorja Kim.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit kemi parë shumë kritika dhe reagime ndaj ambasadores së SHBA-së, veçanërisht nga një segment i madh i opozitës, duke e akuzuar atë për ndërhyrje në politikën shqiptare. Cili është reagimi juaj?

Nd/Sekretarja Donfried: Mund t’ju siguroj që Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden, Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara Tony Blinken dhe unë, të gjithë kemi besim të plotë tek Ambasadorja Yuri Kim. Dhe është një kënaqësi e madhe që kemi njerëz të kalibrit të saj dhe me integritetin e saj në qeverinë e SHBA-së. Dhe mendoj që edhe ky vend, Shqipëria, nuk mund të kishte më shumë fat se sa të ketë atë si përfaqësuese të vendit tim dhe duke punuar çdo ditë për të forcuar atë që është tashmë një marrëdhënie e rëndësishme midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.