Bilanci tregtar i Shqipërisë për produktet e shportës po dëshmon një varësi gjithnjë e më të theksuar nga importet jashtë vendit.
Sipas të dhënave të INSTAT nga tregtia e jashtme, kategoria “Produkte bulmetore, vezët dhe mjalti” ka pësuar një rritje të fortë të vlerës së importit, duke u ngjitur nga 6.8 miliardë lekë në vitin 2024, në rreth 7.7 miliardë lekë në vitin 2025.
Ky zgjerim prej rreth 14% brenda një viti kalendarik dhe 62% që nga viti 2021, po tregon se prodhimi vendas po humbet terren me shpejtësi përballë produkteve që vijnë kryesisht nga vendet e Rajonit dhe Bashkimit Evropian.
Kjo rritje e importeve vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e një krize strukturore që ka mbërthyer sektorin e blegtorisë në Shqipëri. Prej vitesh, numri i krerëve në blegtori po pëson rënie sistematike, e nxitur nga braktisja e fshatit, plakja e popullsisë rurale dhe mungesa e interesit të të rinjve për të trashëguar fermat familjare.

Nga ana tjetër kostoja e prodhimit vendas është shtrenjtuar për shkak të rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore dhe bazës ushqimore. Blegtorët shqiptarë po e gjejnë veten të pafuqishëm për të konkurruar me prodhuesit e huaj, të cilët mbështeten nga skema subvencionimi dhe teknologji më efikase.
Sakaq, tregu po reagon duke u orientuar drejt mbushjes së vakumit të krijuar nga prodhimi vendas përmes importeve. Ndërsa konsumi i brendshëm mbetet relativisht i qëndrueshëm dhe kërkesa nga sektori i turizmit po rritet vit pas viti, mungesa e qumështit dhe nënprodukteve të tij “Made in Albania” po plotësohet nga fabrikat e huaja.
Forcimi i monedhës vendase e ka bërë importin e djathit, qumështit apo gjalpit nga vendet e Bashkimit Evropian shumë më të lirë sesa vitet e kaluara. Për një tregtar, sot është me më leverdi të sjellë një maune me qumësht nga Italia apo Hungaria, sesa të grumbullojë sasi të vogla qumështi nëpër fshatrat e Shqipërisë me kosto logjistike të lartë. Leku i fortë po godet rëndë prodhuesin vendas që nuk konkurron dot me çmimet e huaja.
Kjo situatë krijon një rreth vicioz ku, sa më shumë rriten importet, aq më shumë ulet presioni mbi institucionet për të mbështetur blegtorinë lokale, duke e lënë këtë të fundit në mëshirë të fatit dhe të zhvlerësuar përballë konkurrencës rajonale.
Ekspertët e fushës paralajmërojnë se nëse kjo tendencë e reflektuar në shifrat e vitit 2025 do të vijojnë me të njëjtat ritme. Shqipëria rrezikon të humbasë sovranitetin ushqimor në produktet bazë. Rritja e importeve me plot 10 milionë euro brenda një viti po tregon se politikat e subvencionimit nuk kanë arritur të frenojnë tkurrjen e stallave./ Marrë nga Monitor.al





