Ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar se do të ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e shtetit.

Përmes një postimi në profilin e saj në “Facebook”, Rizvanolli ka njoftuar se “duke u bazuar në rekomandimet e këtij Komiteti Teknik, javën e kaluar kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.

“Institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave. Këto obligime kanë për qëllim trajtimin e çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë në mënyrë që të tejkalojmë krizën e energjisë pa rënduar më tej qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Rizvanolli.

Pajisjet që janë për prodhim të kriptovalutave, zakonisht janë kompjuterë me kartela grafike. Kompjuterët lidhen me energji elektrike dhe të njëjtit shpenzojnë energji elektrike dhe kryejnë procedurën e njohur si “miniera” (mining).

Sipas njohësve të kësaj industrie, një pajisje me pesë kartela grafike shpenzon rreth 100 deri 150 euro për një muaj energji elektrike.