Një pseudo televizion që tenton t’i servirë publikut një realitet të manipuluar, pseudo gazetarë e kameramanë që angazhohen t’i bëjnë të gjitha, një media mediokre që i ofron teleshikuesit programe që s’kanë lidhje me edukimin, kulturën dhe gazetarinë profesionale. Ky është realiteti televiziv që sjell Stefan Çapaliku përmes premierës së parë në Durrës të “XXL TV”, pjesë e realizuar nga Teatri Kombëtar i Komedisë.

Një realitet fals që i serviret publikut, makinacione të ndryshme për të manipuluar teleshikuesin, një mediokritet që kërkon të shitet si art. Ky është televizioni i ditëve tona. Media lokale përpiqet të mbijetojë duke ofruar një realitet shumë ndryshe nga ai me të cilin përballemi çdo ditë. Me pak fjalë, ky është mesazhi që kërkon të përcjellë komedia “XXL televizion”, e cila premierën e saj në Durrës e pati ditën e enjte. Kjo shfaqje teatrale, e shkruar nga Stefan Çapaliku, kërkon të vërë në lojë median vizive shqiptare në veçanti dhe atë globale në përgjithësi.

Personazhet

Skenografia ishte përshtatur si një studio mediokre e një televizioni lokal privat që nis për herë të parë transmetimet live. Pikërisht në këtë skenë vërtiten shtatë personazhet e pjesës, gjithnjë në lëvizje e nxitim për të kapur kohën televizive, për të mbushur boshllëqet e krijuara për shkak të një stafi të reduktuar. “XXL televizion” është realiteti në të cilin mbijetojnë dhe transmetojnë shumë media shqiptare.

Një gazetare që vazhdon studimet për mjekësi; një kameraman që në të vërtetë është oficer në kufi (është punësuar sepse ishte i mirë në përdorimin e dylbive); një kuzhiniere që njëkohësisht duhet të bëjë dhe astrologen; një pronare mediash që jep këshilla si pediatre. Ky është absurdi në të cilin vërtiten të ashtuquajturit “punonjës të medias”, të cilëve u mungon në radhë të parë profesionalizmi në detyrë.

Një recepsionist që në të njëjtën kohë bën rolin e telefonuesit nga shtëpia dhe një kampion mundjeje me një nivel mediokër, por që serviret si talent i vërtetë, plotësojnë kuadrin e karaktereve që shpalosen në skenë, ndërkohë që për ta mbyllur herë pas herë shfaqet mes personazheve edhe Edipi, fituesi i reality shoë-t të servirur nga ky televizion e që kërkon të marrë shpërblimin e premtuar në fillim nga organizatorët.

Për dikë që ka punuar në media, sidomos ato vizive, realiteti që serviret në komedi është pak a shumë i ngjashëm me atë çfarë ndodh realisht prapa kuintave televizive.

Komedia e medias

Njerëz të detyruar të bëjnë shumë punë njëkohësisht, pasi pronarët janë të predispozuar të paguajnë sa më pak njerëz; emisione pa nivel artistiko-kulturor, por që transmetohen për të mbushur hapësirat televizive; personazhe mediokër që shfaqen nëpër ekrane dhe reklamohen si mjeshtra të mëdhenj; pronarë pa nivel kulturor që asgjë nuk i lidh me televizionin, por që imponojnë mënyrën e të bërit gazetari.

Komedia e Çapalikut më shumë të bën të reflektosh sesa të qeshësh. Edhe në situatat komike që krijohen spektatorët vërtet qeshin, por njëkohësisht kuptojnë realitetin fals që u serviret përditë nga ekranet televizive.

Absurditeti më i madh i realitetit që ofron kjo media mediokre është fundi i komedisë, kur një grabitje me armë ndodh në bankën që ndodhet një kat më poshtë ambienteve të televizionit XXL. Ndërsa gjithë kamerat e televizioneve të tjera filmojnë ngjarjen, gazetarët e XXL-së qëndrojnë të strukur pas mobilieve duke dështuar në misionin primar të medias, raportimin e lajmit. Në situatën e krijuar, pronarja e televizionit vendos t’i pushojë të gjithë nga puna dhe të fikë sinjalin.

Autori i grabitjes së bankës ishte personazhi i servirur për muaj me radhë nga ky televizion si fituesi i reality shoë-t, Edipi. Në një tentativë ekstreme për të marrë paratë e premtuara, ai vritet, por para se të vdesë shprehet i lumtur që më në fund po largohet nga ky realitet fals që i ka zënë frymën dhe e shtrëngon si të ishte burg.

Emrat antikë

E veçantë e kësaj komedie është edhe emërtimi i personazheve të Çapalikut. Filozofët grekë apo personazhet e tragjedive antike zbresin në skenën e kësaj komedie. Aristotel, Sokrat, Penelopa, Menelau, Edip etj emërtohen personazhet, por ata nuk kanë asgjë të përbashkët me adashët e tyre antikë.

Komedia e Stefan Çapalikut me regji të këtij të fundit dhe Naun Shundit është pjesa e parë artistike e vënë në skenë nga Teatri Kombëtar i Komedisë. Pas shfaqjes për më se dy muaj në Tiranë, ajo ka udhëtuar drejt Durrësit, për t’u vënë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Krahas emrave të aktorëve të njohur si Bujar Asqeriu dhe Mehdi Malka, interpretonin aktorët e rinj Olta Daku, Marsela Lena, Flaura Kureta, Roland Saro dhe Lulzim Zeqja.

Për shkak se ditët e shtuna dhe të diela janë të zënë me shfaqjen e komedisë “Stjuardesat”, pjesa e Çapalikut ishte programuar të shfaqej të enjten dhe të premten. Ka qenë ndoshta kjo arsyeja se pse në sallën e pallatit të kulturës publiku ishte shumë i pakët në numër. 

 

Teatri Kombëtar i Komedisë

Krijimi i Teatrit Kombëtar të Komedisë u propozua gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Ministrave nga vetë kryeministri Berisha në fund të prillit të 2010. Pas më se një viti e gjysmë, ideja që në atë kohë u prit me skepticizëm në rrethet artistike u bë realitet në 17 dhjetor të 2011. Por pavarësisht krijimit rrugëtimi i këtij teatri duket se nuk do të jetë i lehtë. Në këto kohë të vështira që po kalojmë, dy teatrot kombëtare qëndrojnë në të njëjtën godinë, ndonëse janë institucione të veçanta. “Në të njëjtën kohë infrastruktura dhe buxheti i vënë në dispozicion nuk janë në nivele luksi”,- thotë drejtori i këtij teatri Kastriot Çipi. Ashtu siç e ka dhe emërtimin Teatri Kombëtar i Komedisë do të vërë në skenë vetëm pjesë teatrale komike. Teatri nuk operon me staf aktorësh dhe regjisorësh fiks, por gjithçka vendoset në bazë të projekteve që paraqiten dhe miratohen nga bordi drejtues.

 

 

Naun Shundi

Televizionet, të pasqyrojnë realitetin

Në një intervistë për gazetën “Dyrrah” bashkëregjisori i kësaj komedie, Naun Shundi, thekson se mesazhi apo më mirë apeli që kërkon të përcjellë i gjithë stafi realizues i kësaj pjese është thirrja drejtuar televizioneve shqiptare për të qëndruar sa më pranë realitetit të përditshëm të secilit nga ne, për të mos u përpjekur të kamuflojnë përmes manipulimeve të ndryshme mediokritetin e shoqërisë ku jetojmë.

Zoti Shundi, çfarë mesazhi kërkon të përcjellë komedia “XXL televizion”?

Televizionet krijojnë në përgjithësi një realitet të ndryshëm nga ai jetësor. Krijojnë një realitet mediatik, që jo gjithnjë është i njëjtë me atë ekzistues. Përmes kësaj komedie ne kërkojmë t’i bëjmë një thirrje gjithë televizioneve, që të kenë sensin e mirë për t’i qëndruar sa më pranë realitetit që ne përjetojmë çdo ditë.

Autori i kësaj pjese, Stefan Çapaliku, ka pasur parasysh televizionet shqiptare kur e shkroi komedinë, apo dhe ato jashtë kufijve të vendit tonë?

Televizionet janë kudo njëlloj, qoftë në Shqipëri, qoftë në Ballkan, qoftë në Europë. Pavarësisht faktit se Çapaliku është shqiptar unë jam i bindur se kjo vepër mund të vihet njëlloj në skenë në çdo teatër të Europës dhe të përcjellë të njëjtin mesazh, sepse e përsëris, televizionet janë të njëjtë.

Teatri Kombëtar i Komedisë do të vërë në skenë vetëm pjesë komike apo do të operojë edhe me gjini të tjera?

Ashtu siç e thotë vetë emri ky teatër do të ngjisë në skenë pjesë që të bëjnë për të qeshur. Bordi drejtues përzgjedh në çdo sezon veprat që do të vihen në skenën e këtij teatri. Është një tentativë për të afruar spektatorin drejt një teatri më zbavitës, më çlodhës. Unë kam përshtypjen se njerëzit kanë më tepër nevojë të qeshin sesa të mendohen apo të qajnë (janë të bindur se mendojnë të tjerët për ata). Pra le t’i kthejmë pak buzëqeshjen këtij spektatori.

Përveç shfaqjeve në Tiranë në cilat qytete është shfaqur tjetër kjo komedi?

Pas rreth 20 shfaqjeve në Tiranë, ne po lëvizim për herë të parë jashtë kryeqytetit dhe zgjodhëm pikërisht Durrësin. Mesa di unë javën e ardhshme do të jemi në Shkodër.