ROME, 27 mars 2013 – Më shumë vrasje, më shumë sëmundje mendore dhe infektive. Janë këto pasojat e krizës ekonomike, që sipas disave do të ndihen më shumë vitet e ardhshme.

Masat e rrepta financiare të vëna vendeve të përfshira nga kriza po dëmtojnë jo pak shëndetin e qytetarëve europianë. Në një shkrim të saj për gjendjen shëndetësore të europianëve, revista Lancet nënvizon se Greqia duket se është vendi më i goditur, por gjithsesi përjashtim nuk bën asnjë nga shtetet e kontinentit të vjetër.

"Masat e marra nuk kanë zgjidhur problemet ekonomike dhe nga ana tjetër kanë krijuar probleme të mëdha shëndetësore”,- shkruan Martin McKee i London School of Hygiene. Jo vetëm papunësia përkeqëson shëndetin, por edhe mungesa e optimizmit. Njerëzit kanë nevojë të shpresojnë se qeveritë do t’i ndihmojnë në momentet e vështira”,- vijon ai.

Duke iu referuar statistikave të vetvrasjeve në 15 vende që ishin pjesë e BE-së nga viti 2008 e në vazhdim shifrat kanë njohur vetëm rritje. Tani ato janë 20% më të larta sesa në vitin 2007 që regjistroi shifrën më të ulët të vetvrasjeve.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/