Tiranë, 16 qershor 2014 – Sistemi energjetik shqiptar rrezikon falimentin, nëse vijon të mbetet me ritmet dhe ecurinë aktuale, shkruan sot "Panorama" në kryeartikullin e saj.
Sipas kësaj të përditshmeje, në tre skenarë të ngritur nga Banka Botërore, që përfshijnë ndërhyrje të moderuara apo agresive në sistem, i pandryshuar mbetet fakti që do të ketë gjithmonë një hendek financiar. Ky mund të mbyllet vetëm me kalimin e kostos te konsumatorët fundorë. “Mungesa e reformave dhe mbështetjes financiare nga qeveria krijojnë perspektiva të zymta. Përtej gjithë masave të arsyeshme të marra, si KESH edhe CEZ janë të falimentuara dhe mund të vazhdojnë të operojnë vetëm me mbështetjen e qeverisë”, vlerëson Banka Botërore.
Raporti
Banka Botërore, në një raport të sajin për financat publike të publikuar pak kohë më parë paraqet skenarët dhe perspektivën e sistemit energjetik shqiptar në vitet 2014-2020. Tre janë skenarët kryesorë të marrë në studim: një version i ngjashëm me situatën aktuale me ulje të humbjeve në nivelin 30 për qind, një skenar normal i uljes së humbjeve dhe një skenar agresiv që përveç fokusit te humbjet, përqendrohet te faturimi dhe arkëtimet. Në matjet e Bankës shihet efekti që ka çdo tregues që përmirësohet në ngushtimin e hendekut financiar të sektorit, në mënyrë që ky i fundit të bëhet i qëndrueshëm.
Rritja e çmimit të energjisë sipas 3 skenarëve:
Modeli 1 Modeli 2 Modeli 3
Viti 2014 12 lek/kwh 11 lek/kwh 9.9 lek/kwh
Viti 2015 11.4 lek/kwh 10.8 lek/kwh 10.2 lek/kwh
Viti 2016 10.9 lek/kwh 10.1 lek/kwh 10 lek/kwh
Viti 2017 11.1 lek/kwh 10.7 lek/kwh 10.2 lek/kwh
Viti 2018 11.2 lek/kwh 10.8 lek/kwh 9.9 lek/kwh
Viti 2019 11.3 lek/kwh 10.9 lek/kwh 9.9 lek/kwh
Viti 2020 11.4 lek/kwh 11 lek/kwh 10 lek/kwh
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





