Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot një bashkëbisedim për të informuar punonjës në sektorë të ndryshëm për paketën e rezistencës sociale, ndërhyrjet e qeverisë dhe efektet e krizës ndërkombëtare në ekonomi.
Rama lajmëron se zerimi i taksës mbi pagat deri 40 mijë lekë të rinj dhe përgjysmimi i saj mbi pagat deri 50 mijë lekë të rinj, hyjnë në fuqi në prill.
Ai u shpreh se paga e muajit prill do të jetë 32 mijë lekë, duke lehtësuar jetesën në këto kohë të vështira.
“Kemi vendosur dje paketën e rezistencës sociale, masa për ta futur në fuqi menjëherë dhe jo për të pritur muajin qershor siç ishte parashikuar, heqjen e taksës mbi pagën deri 40 mijë lekë, të gjithë ju që e keni këtë pagë nuk do paguani më tatim fitimin. Është një 7% i ndarë mes punëmarrësit dhe punëdhënësit. Të gjitha paratë që do të merrni do t’i çoni në shtëpi. Ata që janë me pagë 40 deri 50 mijë do paguajnë vetëm gjysmën e pagës. Është bërë si modë që thonë pagat në Shqipëri janë 200 mijë lekë, jo nuk janë aq. Nga muaji prill do të reflektohet rritja e pagës në 32 mijë lekë dhe do të rritet çdo vit”, tha Rama.
Gjithashtu kryeministri thote se 20 miliardë lekë të rinj ose 200 milionë USD do të akordohen për të mbajtur të palëvizur çmimin e energjisë elektrike në faturat e familjarëve dhe bizneseve të vogla.





